
Përfaqësuesja daneze, në "Parken" të Kopenhagenit, në drejtimin e trajnerit Brajan Riemer, dje arriti një fitore strategjike ndaj Portugalisë së Roberto Martinezit, 1-0. Golin e shënoi sulmuesi i Mançester Junajtidit, Hojlund, në minutën e shtatëdhjetë e tetë, pas një aksioni të bukur që përfshiu katër shokë të skuadrës së tij, Isaksenin, Hjulmandin, Eriksenin dhe një asist të saktë të Skov Olsenit. Hojlund dhe Skov Olsen ishin ndërhyrjet e trajnerit Riemer, duke i futur në loja nga stoli, vetëm 9 minuta përpara se goli të vinte. Në këtë takim Erikseni humbi edhe një penallti, të fituar pas prekjes me dorë në zonë të topit nga Renato Veiga, në minutën e njëzet e katërt. 1-0 nuk jep qetësi, por është një nxitje për një paraqitje serioze në ndeshjen e kthimit në Portugali.
Në ndeshjen tjetër çerekfinale pati katër gola, dy për secilën skuadër, Holandën dhe Spanjën, një karton të kuq për Holandën dhe një barazim 2-2 që le gjithçka hapur për në ndeshjen e kthimit në Spanjë. Në "De Kuip" të Roterdamit, i pari shënoi Uilliamsi për spanjollët që në minutën e nëntë. Lamin Jamali fut një top te Pedri në zonë dhe ky gjen Uilliamsin. Pranë portës Verbrugeni i Holandës e kishte të vështirë ta ndalte. Kodi Gapko barazoi për holandezët në minutën e njëzet e tetë. Një trekëndësh kombinues me Hato dhe mandej Klajvert, konkretizohet me gol.
Hato ishte edhe lojtari që la të vetët me të kuq në pjesën e dytë. Kjo pjesë pati nga një gol për secilën skuadër, veçse Spanja e shënoi me Merinon në sekondat e fundit, si për t'ia kulmuar dramacitetin takimit dhe për të shtuar rëndësinë e ndeshjes së kthimit në Spanjë. Të dytin për holandezët e kishte shënuar Rejndersi, pas një asisti të Frimpongut të Leverkusenit. Gjithçka hapur për këtë takim në ndeshjen e Spanjës./ZËRI