Qytetërim

Kosova një ndeshje larg grupit B, fiton në "Fadil Vokrri" me Islandën

Ndeshja e kthimit zhvillohet të dielën, në Mursia të Spanjës.

Redaksia Zëri
Kosova një ndeshje larg grupit B, fiton në "Fadil Vokrri" me
FOTO ILUSTRUESE

KOSOVË-Përfaqësuesja e Kosovës shënoi dje në "Fadil Vokrri" një fitore me rëndësi në ndeshjen e parë të play-offit në Ligën e Kombeve, duke shkuar me më tepër siguri në ndeshjen e kthimit, që do të zhvillohet në Mursia të Spanjës.

Lumbardh Dellova kaloi Kosovën në epërsi në minutën e 19-të të ndeshjes. Epërsia e Kosovës zgjati vetëm tre minuta. Islanda barazoi rezultatin me Oskarsonin, pas asistimit të bukur nga Johanesoni. Pjesa e dytë kishte më shumë grint dhe energji të Kosovës dhe në minutën e 58-të djersa e tyre u shpërblye më së miri. Mesfushori Elvis Rexhbeçaj shënoi në minutën e 58-të golin e tij të parë me fanellën dardane. Gjatë ndeshjes Kosova pati edhe raste të tjera të mira shënimi, pa mundur t'i kthejë në gola.

Elvis Rexhbecaj, vinte në këtë takim me peshën e 179 ndeshjeve përvojë në Bundesligë, 10 gola e 9 asiste të regjistruara, si titullar i paprekshëm i Augsburgut. Ai shënoi golin e parë për përfaqësuesen e tij në paraqitjen e gjashtë me blutë. Ai, së bashku me Muriqin, qendërmbrojtësit Dellova e Rahamani, e sidomos portierin Muriç, që u gjend gjashtë herë në pozita pritjeje, ishin më të mirët e skuadrës blu.

Ndeshja e kthimit zhvillohet të dielën, në Mursia të Spanjës. Fituesi kualifikohet në Ligën B të Ligës së Kombeve. Kosova shkon me sigurinë e kësaj fitoreje dhe shanset janë të mëdha./ZËRI

Poll

MOS HUMB