TIRANË- Këngëtarja shqiptare Dua Lipa ka ndarë publikisht mendimet e saj për t'u bërë nënë, duke konfirmuar në thelb se e sheh të fejuarin e saj, Calum Turner, si babanë e fëmijëve të saj. Këngëtarja 29-vjeçare foli hapur për "British Vogue" për herë të parë rreth planeve të saj të ardhshme dhe familjes që dëshiron të krijojë me aktorin 35-vjeçar, vetëm disa javë pasi ai i propozoi martesë.
"Do të doja shumë të kisha fëmijë një ditë. Thjesht nuk e di kur është koha e duhur. Si do të përshtatet me punën time, turnetë e mia...? Ka shumë për të menduar. I dua fëmijët, por vendimi për t'u bërë nënë nuk është i lehtë. Rritja e një fëmije përfshin shumë më tepër sesa thjesht dashuria për fëmijët,"- tha Lipa në intervistë.
Dua Lipa dhe Callum Turner thuhet se janë njohur në fillim të vitit 2024, përmes miqve të përbashkët në Londër. Ata u panë për herë të parë bashkë publikisht në janar 2024, në një festë pas premierës së serialit “Masters of the Air”, ku Callum luan një nga rolet kryesore. Më pas u fotografuan disa herë duke darkuar dhe duke kaluar kohë bashkë në mënyrë shumë të afërt, çka ngriti dyshimet për një lidhje. Mediat britanike raportuan se mes tyre kishte një kimi të fortë dhe se lidhja nisi në mënyrë natyrale, pasi të dy ndanin pasione të përbashkëta për artin dhe muzikën. Deri në verën e 2024-ës, ata nuk kishin konfirmuar zyrtarisht lidhjen, por vazhdonin të shfaqeshin shpesh bashkë në evente të ndryshme.
Në verën e vitit 2024, thashethemet për fejesën e Dua Lipës dhe Callum Turner filluan të qarkullonin në mediat rozë, pasi këngëtarja u pa me një unazë diamanti në dorën e majtë gjatë një daljeje në Paris. Burime pranë çiftit thanë për disa revista britanike se Callum i kishte propozuar Duas gjatë një udhëtimi romantik në Itali, dhe se ajo kishte pranuar menjëherë. Megjithatë, çifti nuk bëri asnjë deklaratë zyrtare për fejesën për disa javë, duke ruajtur privatësinë. Vetëm në shtator 2024, gjatë një interviste për një revistë të njohur amerikane, Dua Lipa konfirmoi fejesën./ZËRI