
TIRANË-Xhiani De Biazi, ish-trajneri legjendar i kombëtares shqiptare të futbollit, është rikthyer në Tiranë për hapjen e Giro d’Italia. Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport” ai ka thënë se kjo ngjarje e emocionon përtej kufijve të sportit. De Biazi, në këtë intervistë, kujtoi me humor natën e parë në Shqipëri, kur vendosi një karrige pas derës për siguri. Më tej zbuloi se si Shqipëria u bë një vend që e bëri të ndjehej si në shtëpi. Shqipëria ia fitoi zemrën, shkruante Gazzetta, aq sa në intervista ai fliste si një shqiptar i vërtetë dhe në profilin e tij kishte thënie të Nënë Terezës.
Pasioni i madh i De Biazit, përveç futbollit, është edhe çiklizmi.
"Në verë bëj deri në 100 kilometra në ditë", thotë De Biazi, që e cilëson veten një "passista" dhe kujton një tur çiklistik në Shqipëri në vitin 2013 me Marzio Bruseginin dhe shokë të tjerë.
Për De Biazin, Shqipëria që do të shfaqet në ekran gjatë Giro-s nuk është më ajo e viteve të vjetra.
“Sot është një vend që ka ndryshuar shumë: rrugë të reja, ndërtesa moderne, një skyline ndryshe – dhe shumë trafik,” thotë ai mes të qeshurave.
Kujtimi më i dashur i tij? Kthimi nga Armenia pas kualifikimit historik në Euro 2016, me rrugët e Tiranës të mbushura me njerëz që prisnin heronjtë. Dhe ndonëse është jashtë fushave prej një viti, ai e thotë qartë: “Nëse del diçka që më pëlqen, jam gati!”/ZËRI