
MADRID- Një gjykatë në Spanjë ka shpallur fajtor ish-futbollistin e Barcelonës dhe Brazilit, Dani Alves për përdhunimin e një gruaje në një klub nate, në Barcelonë. Ai është dënuar me katër vjet e gjysmë burg. 40-vjeçari, i cili është një nga futbollistët më të njohur të epokës së tij, e kishte mohuar sulmin në orët e para të 31 dhjetorit 2022.
Një avokat i viktimës e përshëndeti vendimin, duke u shprehur se: E kemi ditur gjithmonë të vërtetën, ashtu siç na e tha edhe viktima. Tani do vuajë për vuajtjet që ajo ka pasur.
Prokuroria kishte kërkuar dënimin me 9 vjet burg, pasi në Spanjë, një pretendim për përdhunim hetohet nën akuzën e përgjithshme për sulm seksual dhe dënimet mund të shkojnë nga 4 deri në 15 vjet. Sipas mediave spanjolle, gjykata mori parasysh vendimin e Alves për t'i paguar viktimës 150,000 € (128,500 £) si dëmshpërblim, pavarësisht nga ajo që do të vendosnin gjykatësit.
Edhe pse u kërkua nga pala mbrojtëse, Gjykata nuk e pranoi argumentin e paraqitur nga avokatët e tij se ai duhet të jepet një dënim më i butë për shkak se ishte i dehur. Gruaja e tij Joana Sanz, 31 vjeç, tha se i shoqi i ishte dukur shumë i dehur kur u kthye në shtëpinë e tyre në Barcelonë natën e përdhunimit.
Por gjykata argumentoi se konsumim i alkoolit nuk kishte ndikuar në sjelljen e tij.
Prokurorët thanë se Alves dhe shoku i tij kishin blerë shampanjë për tre vajza të reja përpara se të joshin njërën prej tyre në një zonë VIP të klubit të natës. Ata argumentuan se pikërisht në këtë moment ai u bë i dhunshëm, duke e detyruar gruan të bënte seks me të pavarësisht kërkesave të saj të përsëritura për t'u larguar.
Alves pretendoi se i kishte thënë se mund të largohej po të donte, megjithatë, gjykata konstatoi se ky provë nuk vlente për t'i dhënë pafajësinë. Ligji spanjoll u ndryshua kohët e fundit për të ruajtur rëndësinë e pëlqimit në një marrëdhënie seksuale, sipas të ashtuquajturit "parimi vetëm po është po".
Alves është mbajtur në paraburgim që nga janari 2023 dhe ka ndryshuar dëshminë e tij në disa raste. Ai fillimisht mohoi se e njihte akuzuesen e tij, por më pas pranoi se e kishte takuar në tualet, duke shtuar se asgjë nuk kishte ndodhur mes tyre. Ai më pas ndryshoi versionin e tij të ngjarjes, duke thënë se ata kishin bërë seks konsensual.
"Ne të dy po kënaqeshim,"- tha ai, por tani do të duhet që të qëndrojë në burg për përdhunim.
Alves luajti më shumë se 400 herë për Barcelonën, duke fituar 6 tituj lige dhe tre Champions League. Ai ka fituar gjithashtu trofe duke luajtur për Sevillan, Juventus dhe PSG dhe është ndër ndërkombëtarët më të luajtur në Brazil, me 126 paraqitje./ZËRI