
SPANJË-Interi po përgatitet për gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampioneve kundër Barcelonës, duke u përpjekur të lërë pas tri humbjet radhazi që rihapën garën për titullin dhe sollën eliminimin nga Kupa e Italisë. Nga ana tjetër, situata në Spanjë mbetet shqetësuese për shkak të një black-out-i të madh, që ka paralizuar vendin dhe ka krijuar pasiguri për zhvillimin normal të ndeshjes.
Pavarësisht kësaj, programi i Interit deri tani nuk ka ndryshuar. Skuadra është kthyer në stërvitje në Apiano Xhentile dhe planifikon të zhvillojë seancën e fundit nesër, më 29 prill, përpara nisjes drejt Katalonjës.
Ndeshja me Barcelonën është caktuar për 30 prill në “Estadi Olímpic të Montjuïc” dhe për momentin asnjë ndryshim zyrtar nuk është bërë, megjithatë gjithçka varet nga zhvillimet e orëve të ardhshme.
Problemi më i madh lidhet me transportin ajror, pasi black-out-i ka shkaktuar anulimin e fluturimeve dhe eventeve sportive. Masters 1000 i Madridit në tenis është shtyrë. Interi dhe UEFA po ndjekin nga afër situatën, duke shpresuar që normalizimi të ndodhë shpejt dhe që sfida e shumëpritur të zhvillohet sipas planit./ZËRI