
HOLANDË- Louis Van Gaal, i cili prej 3 vitesh po lufton me kancerin e prostatës, ka dhënë detaje mbi shëndetin e tij. Ish-trajneri i Holandës siguroi se ndihet më mirë, por me shaka u ankua se nuk mund të bëjë më dashuri, për shkak të shqetësimeve fizike.
“Jam mirë. Pas tri vitesh radioterapi, infeksione të veshkave dhe operacioni të prostatës, më në fund mund të urinoj, gjë që është e rëndësishme. Sidoqoftë nuk mund të bëj më dashuri dhe ky është një problem”, – tha Van Gaal për RTL.
Në të njëjtën intervistë, Louis bëri një tjetër zbulim. Ish-trajneri i Manchester United, Barcelonës dhe Ajax mori një ofertë për t’u rikthyer në stolin e Bayern Munich, klubit që drejtoi midis viteve 2009 dhe 2011, pas shkarkimit të Tuchel: “Unë u befasova, Bayern Munich më bëri ofertë kësaj vere për ta drejtuar, para se të konfirmonte Kompany”.
Van Gaal dha dorëheqjen si trajner i kombëtares holandeze një ditë pasi Argjentina e eliminoi nga Kupa e Botës 2022. Louis, tani 72 vjeç, bëri histori me Bayern Munich duke fituar një titull kampion, një Kupë të Gjermanisë dhe një Superkupë Europe.
Në muajt e fundit, Van Gaal kishte zbuluar detaje të tjera mbi veten: “Unë vij nga një familje në të cilën jemi nëntë vëllezër. Personalisht jam më i vogli. Babai im vdiq kur isha 11 vjeç, ai ishte 53 vjeç.
Gruaja ime e parë, megjithatë, vdiq në moshën 39-vjeçare, të gjithë vëllezërit e mi vdiqën shumë shpejt. Unë jam mësuar me vdekjen, prandaj e di që është pjesë e jetës dhe mund ta përballoni atë. Çdo qenie njerëzore reagon ndryshe, prandaj them: Ti duhet të jesh vetvetja”.