
LEZHË- Policia e Lezhës ka vënë në pranga futbollistin e ekipit të "KF Shënkolli" pasi akuzohet se ka dhunuar arbitrin gjatë ndeshjes që u zhvillua pasditen e sotme. Arbitri kryesor, Abdurrahman Kadria nga Peshkopia, është goditur nga kapiteni i Shënkollit me kokë dhe loja është ndërprerë në minutën e 85-të.
Kadria është dërguar për mjekim në spitalin e Lezhës, pasi ka pasur një të çarë në pjesën e fytyrës. Ndërsa, futbollisti me inicialet B. Z. 31 vjeç, banues në Lezhë, është vënë në pranga dhe akuzohet për veprën penale "Goditje për shkak të detyrës".
Njoftimi i policisë Lezhë: Dhunoi fizikisht arbitrin gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve "KF Shënkolli"-"KF Sopoti", vihet në pranga 31-vjeçari, futbollist i ekipit "KF Shënkolli". Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin B. Z. 31 vjeç, banues në Lezhë, futbollist i ekipit "KF Shënkolli", për veprën penale "Goditje për shkak të detyrës". 31-vjeçari, ditën e sotme, gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve "KF Shënkolli"-"KF Sopoti", në stadiumin e Shënkollit, ka dhunuar fizikisht arbitrin e ndeshjes, shtetasin A. K., 34 vjeç, banues në Tiranë, i cili aktualisht ndodhet në spital për asistencën e nevojshme mjekësore. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.