
TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur nga arrestimi i Liam Osmanit brenda shtëpisë së Big Brother VIP. Oficerët e policisë e prisnin banorin në dhomën e surprizave, ndërsa më pas Liami u shoqërua prej tyre.
Kur ish-banori u fut në dhomën e surprizave ai pa aty policinë dhe shkoi me ta pa kundërshtuar. Para se të arrestohej, Liami deklaroi në dhomën e rrëfimit se hyrja në shtëpinë e Big Brother ishte një shans për të për t’u rikthyer në vendin e tij.
“Këtë shans po e përdor për tu rikthyer në Shqipëri. Dua të qëndroj me prindërit e mi këtu. E ti marr ato lekët, që uroj ti marr (çmimi i madh)”, është shprehur ai.
Liam Osmani rezulton i dënuar në vitin 2022, pasi në vitin 2019 përmes mashtrimit ka përvetësuar 17 bileta turistike për në Gjermani në vlerë rreth 6 mijë euro, për të cilat nuk ka kryer pagesat përkatëse. Vetë Liam Osmani ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni të këtij dënimi. I gjithë procesi ndaj tij ka një sërë pikëpyetjesh, që nga shqyrtimi i kësaj çështje nga Gjykata Penale, kur mund të ishte zgjidhur përmes përmbarimit, te vendimi nul, për shkak se në momentin e dënimit, Liam Osmani kishte hequr dorë nga shtetësia shqiptare.
Në vendimin e gjykatës, në vitin 2022 ai referohej si një shtetas shqiptar, edhe pse ka hequr dorë nga shtetësia me dekret që në vitin 2019./ZËRI