
SPANJË- Carlo Ancelotti u shfaq në sallën e shtypit të “Valdebebas” mjaft i shqetësuar. Bellingham nuk e përfundoi dot stërvitjen e së premtes për shkak të një goditjeje dhe po kryen testet mjekësore. Trajneri italian foli për rolin e Rodrygo: “Me këtë ekip shumë sulmues, sulmuesit duhet të punojnë më shumë dhe ai po e bën mirë”.
Tre muaj më vonë, skuadra madrilene do të luajë në shtëpi: “Është gjithmonë e rëndësishme të luajmë në stadiumin tonë. Ne duam të kthehemi aty, të tregojmë një imazh të mirë, të fitojmë ndeshjen dhe të kemi një ditë të lumtur”.
Situata e dëmtimit të Bellingham: “Ai ka pasur një goditje, stafi mjekësor po e vlerëson për çfarë bëhet fjalë”.
A do të ndryshojë diçka në lojë, karahasuar me transfertën e Mallorca: “Jemi duke u përgatitur mirë për ndeshjen e së dielës. E kuptuam shumë mirë atë që ndodhi në Mallorca, jemi përpjekur ta rregullojmë këtë javë. Kundër Valladolidit do të jetë një provë e mirë”.
Mësimet e nxjerra nga ndeshja e javës së parë: “E thashë direkt pas ndeshjes, na mungonte ekuilibri ndonjëherë, duhet të punojmë fort për këtë. Nuk është aq e komplikuar të gjesh zgjidhjen kur problemi është i qartë”.
Trajneri italian tregon a ka folur me Rodrygo: “Fola me të këtë javë dhe e pyeta nëse kishte ndodhur diçka. Më tha se mesazhi ishte fals. Ai është i lumtur këtu dhe punon shumë mirë. Nuk ka asnjë problem me të”.
A nuk është shumë e rrezikshme të mos kërkohet një qendërmbrojtës tjetër në merkato: “Jo, ne kemi burime njerëzore për atë pozicion. Të rinjtë që kemi janë shumë të mirë, si Asencio dhe Tchouameni”.
Orari i ndeshjes: “Ne luajmë kur na thonë të luajmë. Duhet të kemi parasysh shëndetin e lojtarëve”.
Sa i rëndësishëm është roli i Rodrygo: “Të gjithë e dimë cilësinë që ai ka. Në këto dy ndeshje bëri shumë mirë. Me këtë ekip sulmues që kemi ne, sulmuesit duhet të punojnë më shumë. Ai po bën mirë në këtë drejtim”.
Si do ta presë Mbappen një stadium si “Bernabeu”: “Do të jetë një ditë shumë e bukur për Mbappé, duke luajtur për herë të parë në ‘Bernabéu’ me fanellën e Real Madridit. Tifozët do të kënaqen”.
A po trajtohet Rodrygo në mënyrë të padrejtë: “Ai është shumë i lumtur, sepse po luan. Është temë tjetër ai mesazh në rrjetet sociale, për të cilin ka shkruar media, por ne nuk e komentojmë, sepse nuk ka nevojë të komentohet”.
Si duket situata e Endrick: “Ai është shumë i mirë, si edhe të tjerët. Po përshtatet shumë mirë. Endrick ka cilësi mbresëlënëse dhe do të marrë minutat që meriton, duke pasur parasysh konkurrencën në këtë ekip”.
Të shtunën, stërvitje në “Bernabeu”: “Çfarë po kërkoj me këtë stërvitje? Asgjë të veçantë, thjesht të provojmë fushën, sepse ka ndryshuar në krahasim me sezonin e kaluar. Unë dua që lojtarët ta provojnë fushën e re për të parë se si ndihen atje. Nuk ka asnjë bestytni apo gjëra të tjera”.