
TIRANË- Çdo vit në mbarë botën prodhohen gati 100 milionë ton mollë. Njerëzit e duan këtë frut, i cili vjen në një larmi të gjerë ngjyrash dhe shijesh, dhe është i njohur për përfitimet e tij shëndetësore. Shprehja "një mollë në ditë e mban mjekun larg" që dëgjojmë shpesh, sipas BBC News , i ka rrënjët në një proverb uellsian të vitit 1866.
Por sa e vërtetë është kjo shprehje e vjetër? Dhe a janë mollët vërtet më të shëndetshme se frutat e tjera?
Pse mollët janë kaq të shëndetshme?
Le të fillojmë me lëndët ushqyese që përmbajnë mollët. Para së gjithash, ato janë një burim i pasur fitokimikatesh si flavanolet, të cilat na ndihmojnë të ruajmë një peshë të shëndetshme dhe të zvogëlojmë rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Ato përmbajnë gjithashtu polifenole të ndryshme, të tilla si antocianinat (të cilat u japin atyre ngjyrën e kuqe) që përmirësojnë shëndetin e zemrës, dhe florizinën që ndihmon në kontrollin e sheqerit në gjak. Por edhe shumë fibra, kryesisht pektinë, e cila ul kolesterolin "e keq" (LDL) dhe stabilizon nivelet e sheqerit në gjak.
“Mollët nuk kanë shumë vitaminë C dhe as hekur apo kalcium - por ato kanë shumë përbërës të tjerë që bëjnë mrekulli për trupin,”- thotë Janet Colson, profesoreshë e të ushqyerit dhe shkencës ushqimore në Universitetin Shtetëror të Tenesit të Mesëm në SHBA. Falë polifenoleve të tyre, disa studiues pohojnë se mollët kanë fuqinë e dytë më të lartë antioksiduese midis frutave.
Një studim i vitit 2020 me 40 pjesëmarrës (me kolesterol pak të ngritur) zbuloi se ata që hanin dy mollë në ditë kishin një ulje të ndjeshme të kolesterolit. Një studim tjetër me 40 gra mbipeshë tregoi se ngrënia e tre mollëve në ditë i çoi në humbje të ndjeshme në peshë dhe përmirësoi nivelet e glukozës në gjak.
Nuk është vetëm "sa", por edhe "si"
Kur bëhet fjalë për mënyrën më të mirë për të ngrënë mollë për të përfituar sa më shumë nga to, Flavia Guzzo, profesoreshë e asociuar e biologjisë së bimëve në Universitetin e Veronës, këshillon të mos e hiqni lëkurën.
"Duhet të hamë lëkurën e mollëve, pasi aty gjenden shumica e polifenoleve të tyre,"- thotë ai. Sa i përket ngjyrës, ajo nuk ka shumë rëndësi. Si polifenolet që i japin ngjyrë të kuqe lëkurës së mollës, ashtu edhe ato që e bëjnë të gjelbër, janë të mira për shëndetin tonë.
Si përfundim, ngrënia e një molle në ditë mund të mos e mbajë larg mjekun, por me siguri do të përmirësojnë shëndetin tonë./ZËRI