Qytetërim

Udhëtime me ‘ritëm’, të rinjtë shqiptarë drejt Europës për të ndjekur koncertet

Biletat për koncertin kanë nisur nga 150 euro, ndërsa paketa bazë me fluturim dhe akomodim 2 net shkon mesatarisht 350-450 euro për person.

Redaksia Zëri
Udhëtime me ‘ritëm’, të rinjtë shqiptarë
Foto ilustruese

TIRANË- Një tjetër tendencë në rritje këtë verë janë “pushimet muzikore”, ku të rinjtë shqiptarë kombinojnë dëshirën për të udhëtuar me pasionin për muzikën live. Koncertet e artistëve të njohur botërorë dhe festivalet ndërkombëtare po kthehen në arsye të forta për të lënë Shqipërinë për disa ditë dhe për të përjetuar emocione unike në qendra europiane të kulturës dhe argëtimit. Milano është një nga destinacionet më të kërkuara, ku këtë verë do të performojë Taylor Swift (13 korrik) në San Siro Stadium. Biletat për koncertin kanë nisur nga 150 euro, ndërsa paketa bazë me fluturim dhe akomodim 2 net shkon mesatarisht 350-450 euro për person.

Po në Itali, Roma pret Coldplay më 16 korrik në Stadio Olimpico, një tjetër event që ka tërhequr grupe të rinjsh shqiptarë që organizohen mes tyre apo përmes platformave online si GetYourGuide ose Songkick. Në Paris, The Weeknd do të performojë më 20 gusht në Stade de France – një tjetër event ku biletat standarde shkojnë nga 120 deri në 300 euro, ndërsa një paketë 3-ditore me fluturim dhe hotel arrin rreth 500-600 euro për person. Ndërkohë, Berlini, Barcelona dhe Amsterdami janë të përfshira në axhendat verore të emrave si Dua Lipa, Ed Sheeran dhe Arctic Monkeys, duke i kthyer këto qytete në pika takimi për fansat nga e gjithë Europa – përfshirë Shqipërinë.

Një tjetër atraksion është festivali Tomorrowland në Belgjikë (19–28 korrik), që është ndër më të njohurit në botë për muzikën elektronike. Çmimet për hyrje fillojnë nga 295 euro për një weekend pass, ndërsa paketa e plotë me kamping ose hotel, transport dhe ushqim mund të arrijë mbi 800 euro – një investim që shumë të rinj e shohin si “pushimi i ëndrrave”.

Në shumë raste, këto udhëtime nuk organizohen përmes agjencive klasike, por nga vetë të rinjtë që rezervojnë gjithçka online, ndajnë akomodimin me miq dhe lëvizin me fluturime “low cost”.

Të rinjtë nuk janë pushues tradicionalë

Një “ndryshim” i qetë po ndodh në tregun e udhëtimeve, i udhëhequr nga të rinjtë shqiptarë, që nuk shohin më tek agjencitë turistike zgjidhjen e parë për pushimet e tyre. Të rinjtë nuk presin më ofertat sezonale në rrjetet sociale të agjencive, por krijojnë vetë kombinime udhëtimesh, bileta fluturimi, akomodim, transport lokal dhe përvoja, duke synuar autenticitetin. Krahas ofertave të zakonshme për Turqinë (me çmime që këtë vit variojnë nga 700 deri në 1,000 euro për një javë për person në hotel me katër-pesë yje), ata zgjedhin të shpërndajnë buxhetin në disa përvoja të vogla, por unike. Një udhëtim i organizuar në mënyrë të pavarur në jug të Italisë apo rivierën franceze, me fluturim “low cost”, akomodim përmes Airbnb dhe udhëtim me tren, mund të kushtojë rreth 500-700 euro për një javë, me më shumë liri dhe pa orare të fiksuara.

Një city break në Barcelonë apo Valencia, i kombinuar me “remote work” apo një festival lokal, është bërë gjithashtu pjesë e preferencave të këtij brezi të lidhur ngushtë me teknologjinë. Kjo lëvizje ka sjellë sfida të reja për operatorët turistikë, të cilët tashmë po përballen me një klientelë që kërkon jo thjesht çmime të mira, por përvoja të personalizuara. Agjencitë tradicionale ofrojnë ende siguri dhe lehtësi për familjet apo grupmoshat më të mëdha, por nuk janë më zgjedhja automatike për brezin e ri.

Ky brez, i rritur me Google Flights dhe Booking.com, po riformëson tregun turistik shqiptar me pritshmëri të reja, standarde më të larta dhe një filozofi që i jep më shumë vlerë përvojës sesa luksit./Monitor

Poll

MOS HUMB