
TIRANË- Shqipëria ka nisur që tani të mendojë për dy takimet e 17 dhe 20 nëntorit, me të cilat mbyllen kualifikueset e Euro 2024 kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe. Trajneri Silvinjo ka nevojë për futbollistët që të jenë në maksimumin e tyre në fushë. E lojtarët që të mund të japin më të mirën, kanë nevojë për minuta në këmbë.
Por nga futbollistët e përdorur nga trajneri Silvinjo për sfidën kundër Çekisë në “Air Albania” të fituar 3-0 më 12 tetor, titullar e nisën 5 në takimet e luajtura në fundjavë. Mbrojtësi Berat Gjimshiti luajti gjatë gjithë ndeshjes në takimin e humbur në shtëpi 2-1 kundër Interit.
Mesfushori Ylber Ramadani ishte i palodhur për 90 minuta në sfidën në transfertë që ekipi i tij Leçe, e humbi kundër Romës. Titullar edhe sulmuesi Sokol Cikalleshi, që i dha 1 pikë Koniasporit kundër Karagumruk në shtesë.
Edhe sulmuesi tjetër që luan te Antwerp, Arbnor Muja, e nisi nga minuta e parë kundër Genk dhe u nxorr nga loja në të 90’. Taulant Seferi e nisi titullar ndeshjen që ekipi i tij Baniyas e fitoi minimalisht ndaj Khor Fakan , por u la në stol në 45 minutat e dyta.
Pak minuta për mesfushorin e Interit Kristjan Asllani, që u fut në lojë në minutën e 86 kundër Atalantës. Sulmuesi Ernest Muçi u aktivizua në mintuën e 74 në fitoren në trnasfertë të Legia Varshava ndaj Radomiak Radom.
Në stol u lanë mbrojtësit Mario Mitaj në derbin Lokomotiv Moscow-Spartak Moscow dhe Elseid Hysaj në Bolonja-Lazio që përfundoi 1-0.
Mesfushori Jurgen Gjasula nuk luajti pasi ishte i pezulluar për shkak të kartonit të kuq të marrë ndaj Bayern në javën e 10./Zëri.ai