Qytetërim

Tomas Myleri, një legjendë në prag largimi të palumtur

Myler do të largohet si lojtari me më shumë paraqitje në historinë 125-vjeçare të Bajernit të Mynihut

Redaksia Zëri
Tomas Myleri, një legjendë në prag largimi të palumtur
Tomas Myler

GJERMANI-‘’Süddeutsche Zeitung’’ raporton se llogaritë financiare janë shkaku kryesor pse Bajerni i Mynihut nuk e mendon rinovimin e kontratës me legjendën e klubit, Tomas Mylerin. Paga e tij 10 milionë euro në vit peshon shumë mbi totalin vjetor të klubit, që sipas sportives gjermane ‘’Kicker’’, sikur të mos ishte pjesëmarrja e Botërorit të Klubeve 2025 në SHBA Bajerni i Mynihut rrezikonte një bilanc negativ.

Myleri, megjithatë, edhe në ‘’gjuhën e minutave të aktivizimit’’, e kupton se ai nuk është qendror në projekt: 35 ndeshje ka gjetur aktivizim, një total prej 1260 minutash, përkatësisht 36 minuta për ndeshje aktivizim. Mesatare që nëse e shohim në ndeshjet e fundit, sa i takon vitit 2025, po vjen në rënie të ndjeshme.

Myleri, në Bundesligë, ka nisur si titullar vetëm 8 nga 23 ndeshjet ku ka gjetur aktivizim, 4 herë ka mbetur në stol; në Ligë Kampionesh ka nisur vetëm 3 nga 10 ndeshje si titullar, 2 herë ka mbetur në stol; në Kupën e Gjermanisë ka nisur një herë si titullar, 1 herë si zëvendësues dhe 1 herë ka mbetur në stol. Ndeshjet e fundit pesha e aktivizimit të Mylerit ka ardhur në rënie, 6 minuta në total në dy ndeshjet e turit të gjashtëmbëdhjetësheve në Ligë Kampionesh kundër Bajerit të Leverkusenit, në fitoren e fundit në Bundesligë ndaj San Paulit mori vetëm 5 minuta aktivizim dhe një ndeshje më parë, ndaj Union Berlinit, qëndroi në stol. Në stol ndenji edhe në turnin gjashtëmbëdhjetësh të Kupës Gjermane, DFB Pokal, ndaj Bajer Leverkusenit.

Dëshira e lojtarit gjerman duket se ishte qëndrimi dhe mbyllja e karrierës me bavarezët, por kjo nuk do të jetë e mundur.
Myleri ka qenë në klubin bavarez që kur ishte 10 vjeç, ai ka luajtur për 24 sezone dhe ka shënuar 150 gola dhe 210 asiste në Bundesliga. Ai renditet i katërti për nga numri i paraqitjeve në historinë e Ligës së Kampionëve dhe është i vetmi ndër katër emrat e parë që ka luajtur vetëm për një klub. Në Ligën e Kampioneve ai ka luajtur 161 ndeshje, ka shënuar 56 gola dhe 34 asiste. Në kupën gjermane, DFB Pokal, shifrat janë: 67 ndeshje, 36 gola dhe 27 asiste.

Myler do të largohet si lojtari me më shumë paraqitje në historinë 125-vjeçare të Bajernit të Mynihut, 742 ndeshje dhe ka fituar plot 33 tituj me kampionët rekordmenë të Gjermanisë gjatë kësaj kohe. ‘’Nuk është thjesht fundi i një epoke, por edhe largimi i një prej legjendave të fundit për një klub të vetëm’’, shkruante Xhonatan Harding për DW Sportin.
Në verën e vitit të shkuar, së bashku me portierin Nojer, ai u tërhoq nga përfaqësuesja e Gjermanisë, me 145 ndeshje, 45 gola dhe 41 asiste, duke qenë kampion Bote në vitin 2014.

Lidhur me të ardhmen e tij ka disa zëra: mundësia më e madhe është ajo e bashkimit me ish-shokun e tij të kombëtares, Marko Rojs, te Los Anxhelos Galaksi në MLS./ZËRI

Poll

MOS HUMB