Qytetërim

Protestë e bardhë e Leçes dje ndaj Atalantës

Klubi dhe lojtarët, nën shembullin e freskët të Barcelonës ndaj Osasunës me doktorin e klubit të tyre, kërkuan shtyrjen e ndeshjes në mënyrë që të nderohej morti dhe masazhatori të kthehej në familje sa më parë.

Redaksia Zëri
Protestë e bardhë e Leçes dje ndaj Atalantës
lojtarët

ITALI- Protesta e bardhë është një specialitet Italian, por rasti i Leçes dje ishte shumë i veçantë dhe domethënës. Salentinët, dje, udhëtues në Bergamo, ku arritën një barazim të vështirë 1-1, protestuan kundër federates italiane të futbollit. Shumëkush që nuk e ndjek në mënyrë të rregullt e të thelluar informacionin sportiv, kur ka parë Atalantën përpara një skuadre të veshur me të bardha, mund të ketë mbetur i çuditur. Ajo skuadër, siç parashikohej në kalendarin e javës së tridhjetë e katërt të Serisë “A” ishte Leçja, pa vijat portokalli e të verdha, si zakonisht.

Vendimi i saj për të zbritur në fushë e tëra në të bardha, me një fjongo zije në vend të stemës, me shirit të zi në krah dhe me mbishkrimin “Nessun valore, nessun colore/ asnjë vlerë, asnjë ngjyrë” mbi gjoks ishte një protestë e hapur ndaj federates italiane të futbollit dhe vendimit të saj për të vendosur zhvillimin e ndeshjes Atalanta-Leçe, pavarësisht kërkesës së të dytë për ta shtyrë. Klubi i Leçes, në Bergamo, humbi në mënyrë të papritur masazhatorin e skuadrës, Graciano Fioritën, anëtar i klubit prej 26 vjetësh. Klubi dhe lojtarët, nën shembullin e freskët të Barcelonës ndaj Osasunës me doktorin e klubit të tyre, kërkuan shtyrjen e ndeshjes në mënyrë që të nderohej morti dhe masazhatori të kthehej në familje sa më parë. Federata nuk e miratoi këtë kërkesë.

Klubi i Leçes reagoi ashpër ndaj vendimit të Lega Serisë A. Klubi e konsideroi këtë vendim si mungesë respekti ndaj dhimbjes së familjes Fiorita, shokëve të ekipit dhe tifozëve të Leçes, duke theksuar se në raste të tjera janë marrë vendime më të arsyeshme. Klubi shkoi deri te aludimet se duket sikur ekziston një hierarki e padenjë e vlerësimit të humbjeve në varësi të emrit të klubit apo rolit të personit të ndjerë. Klubi e njoftoi më herët se skuadra do të zbristë në fushë me një fanellë të bardhë pa ngjyra, logo apo simbole, në shenjë proteste ndaj kësaj padrejtësie. Leçja zyrtarisht bëri me dije se do të rikthehej të vishte ngjyrat e veta vetëm kur Graciano Fioritaja të kthehej në familje dhe të nderohej siç e meritonte./ZËRI

Poll

MOS HUMB