
ITALI- Nga ëndrra në makth. Kjo ndodhi me Interin në vetëm një javë. Nga ëndrra për tripletë, kryesuese e Serisë “A”, gjysëmfinaliste në Kupë të Italisë dhe fituese në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve, tani e gjen veten pas Napolit, të eliminuar nga Kupa dhe në pritje të përballjes me një Barcelone pa të meta në gjysëmfinale. Tre humbje radhazi pa shënuar asnjë gol, nuk ndodhte që nga viti 2012 nën drejtimin e Ranierit.
Humbja ndaj Bolonjës, eliminimi nga Kupa e Italisë kundër Milanit dhe disfata e fundit ndaj Romës kanë përmbysur sezonin e zikaltërve. Kjo formë e dobët i ka kushtuar kryesimin e kampionatit përballë Napolit të Contes. Interi po përballet me një krizë të thellë fizike dhe mendore.
Ekipi i Inzaghit duket i lodhur dhe pa energji, me një lojë të ngadaltë dhe të parashikueshme, që nuk arrin të krijojë raste të rrezikshme. Pa Turamin në sulm, përgjegjësia i ka rënë Lautaros, i cili është treguar nervoz dhe i pafuqishëm për ta udhëhequr skuadrën. Zëvendësuesit si Correa, Arnautoviç dhe Taremi nuk e kanë plotësuar dot me cilësi boshllëkun. Në këtë pike, limitet e skuadrës u bënë të dukshme. Sipas "Corriere dello sportit", lodhja fizike, mungesa e Turamit dhe kriza psikologjike e kanë bllokuar makinerinë që dukej e ndërtuar për të fituar.
Problemet e Interit nuk vërehen vetëm në fazën sulmuese, edhe mbrojtja është përkeqësuar ndjeshëm: në prill janë pësuar 12 gola, shifër alarmante po ta krahasosh me sezonin e kaluar ku Interi shkëlqente kryesisht në mbrojtje. Mungesa e reagimit pas disavantazhit është bërë thuajse kronike. Nuk dihet nëse “shtrëngimi i zinxhirëve” për ta shpëtuar sezonin do të nisë në mesjavë ndaj Barcelonës, por nëse nuk ia dalin ky Inter do të shërbente vërtetë si “case study”./ZËRI