
TIRANË- Qeveria shqiptare është angazhuar për t'i ardhur në ndihmë këngëtares shqiptare, Parashqevi Simaku. Burime pranë Këshillit të Ministrave i thanë Report TV, se për të ndjekur këtë rast, është angazhuar Taulant Balla, i cili mban edhe një rol koordinues për diasporën. Po ashtu, edhe stafi diplomatik në Nju Jork është angazhuar që t'i sigurojë dokumente indentifikuese për të, pasi prej kohësh nuk kishte asnjë mjet të tillë.
Fillimisht, këngëtarja do të pajiset me një pasaportë shqiptare dhe më pas, konsullata do të ndërmjetësojë me shtetin amerikan, për të kuptuar nëse ka dokumentacion që mund të rifreskohet, apo për rastin e saj do të duhet që të kërkohet leje qëndrimi.
Ndërkohë, nga ana tjetër, biznesmeni Elton Ilirjani, i cili kujdeset për këngëtaren ka bërë po ashtu me dijë një lajm të mirë. Ajo, sipas tij, ka komunikuar më në fund me të birin dhe ish-bashkëshortin e saj. Ende nuk dihet konteksti i bisedës, por nga sa lë të kuptohet biznesmeni, gjithçka ka shkuar mirë.
"Parashqevi Simaku foli më në fund në video me djalin dhe ish-bashkëshortin,"-shkruhet në postimin e bërë.
-
Hapet “GoFundMe” për Parashqevi Simakun
17 Dhjetor, 17:11
Parashqevi Simaku ishte zhdukur prej vitesh. Figura e këngëtares së njohur u rikthye sërish në vëmendjen e publikut pasi një video e transmetuar nga televizioni amerikan "Abc 7", ka tronditur rrjetin. Në pamjet e rrjeteve sociale shfaqej, Parashqevi Simaku, e cila merrte ndihma si e pastrehë. Por ajo u gjet nga biznesmeni Ilirjani, i cili po kujdeset për të./ZËRI