Qytetërim

Andrew dhe Tristan Tate humbasin gjyqin, iu sekuestrohen 2 milionë paund

Ata nuk kanë paguar taksat për bizneset e tyre online, të cilët iu kanë sjellë më shumë se 21 milion paund të ardhura si War Room, Hustlers' University, Cobra Tate dhe OnlyFans, midis 2014 dhe 2022.

I.F
Andrew dhe Tristan Tate humbasin gjyqin, iu sekuestrohen 2 milionë paund
Andrew dhe Tristan Tate

LONDËR- Ish-kikboksieri Andrew Tate dhe vëllai i tij Tristan humbën gjyqin e tyre në Angli për mospagim taksash. Gjykata e Londër ka urdhëruar që dy vëllezërve t’i sekuestrohen më shumë se 2 milionë paund nga 7 llogaritë e tyre të ngrira bankare dhe të një gruaje, e cila identifikohet vetëm me emrin “J”. Sipas gjyqtarit Paul Goldspring, Tate ka mashtruar duke iu shmangur pagesës së taksave dhe TVSH-ve. Ata nuk kanë paguar taksat për bizneset e tyre online, të cilët iu kanë sjellë më shumë se 21 milion paund të ardhura si War Room, Hustlers' University, Cobra Tate dhe OnlyFans, midis 2014 dhe 2022.

Prokurorja Sarah Clarke KC, tregoi një video në seancën gjyqësore, ku Andrew Tate ka treguar si të mashtrojnë dhe të mos paguajnë taksa.

"Kur jetoja në Angli, refuzova të paguaja taksa. Injoro, injoro, injoro sepse në fund ata largohen", ka thënë Tate.

Ish-kikboksieri profesionist, 37 vjeç, dhe vëllai i tij, 36 vjeç, vazhdojnë të jenë të përfshirë në një betejë ligjore me autoritetet në Rumani. Ata u arrestuan në vitin 2022 dhe u paditën zyrtarisht në mesin e vitit 2023, së bashku me dy gra nga Rumania, ku u akuzuan për trafikimin e qenieve njerëzore, përdhunim dhe formimit të një bande kriminale për shfrytëzim seksual të grave.

Të katër ata kanë mohuar të gjitha akuzat ndaj tyre. Muajin e kaluar, një gjykatë rumune vendosi se një nga rastet e prokurorëve publikë përmbante parregullsi të shumta dhe i urdhëroi ata ta ndryshonin ose ta tërheqin atë brenda pesë ditëve.

Andrew Tate reagoi menjëherë pas vendimit të gjykatës duke e quajtur atë si një sulm ndaj tij.

“Së pari, më etiketuan si trafikant qeniesh njerëzore, por nuk gjetën asnjë grua të vetme për të më dalë kundër. Kur kjo narrativë u shkatërrua, ata më akuzuan për vjedhje duke ngrirë llogaritë e mia për më shumë se dy vjet dhe tani duke sekuestruar gjithçka që mundën. Kjo nuk është drejtësi; është një sulm i koordinuar ndaj kujtdo që guxon të sfidojë sistemin. Flisni kundër Matriksit dhe ata do të vijnë për lirinë, reputacionin dhe jetesën tuaj”, tha Tate.

Nga ana tjetër, autoritet britanike thanë se ata kanë vepruar në koordinim me ligjin dhe se dy vëllezërit kanë mashtruar dhe nuk kanë paguar taksat. Tate ka ende më shumë se 10 milionë ndjekës në X, ku ai promovon një mënyrë jetese, ku sipas kritikëve bën komente mizogjiniste dhe denigron gratë. /ZËRI

Poll

MOS HUMB