
Aktori i njohur i humorit Emir Hoxhaj, i njohur për rolet e tij në “Portokalli”, ka rrëfyer një episod tronditës nga jeta e tij artistike, kur një incident në skenë për pak sa nuk i kushtoi jetën.
I ftuar në emisionin “Hipokrati”, Hoxhaj tregoi se gjatë një shfaqjeje teatrore ishte plagosur në kokë nga një shpatë e vërtetë, e përdorur në një skenë lufte.
“Luaja në teatër, isha në skenë dhe ka ndodhur live, më është çarë koka. Kishim një skenë me shpata të vërteta, sepse regjisori kërkonte shpata me peshë reale, që të bënin atë zhurmën e vërtetë”, rrëfeu ai.
Sipas aktorit, një rol të rëndësishëm në shmangien e pasojave më të rënda e kishte luajtur një element i thjeshtë i kostumit – një kapele tradicionale e mbushur me bluza për t’i qëndruar më mirë në kokë.
“Kisha atë kapelen që ishte si kasketë ilire, e mbushur me dy bluza që të mos më binte. Mund të them se ato bluza mund të më kenë shpëtuar jetën.”
Pavarësisht plagës, Hoxhaj nuk e ndërpreu shfaqjen.
“Dola nga skena, por shfaqjen e përfundova. Pastaj shkova në urgjencë. Mjeku më tha të rrija gjashtë orë nën vëzhgim për shkak të dëmtimit në kokë, por unë kisha një shfaqje tjetër për të luajtur.”
Aktori ndau edhe dy episode të tjera shëndetësore, të ndodhura në plazh – një përplasje që i shkaktoi çarje në kokë dhe një rast tjetër kur u pickua nga një merimangë.
“Spitalet në fakt më japin energji negative,” u shpreh ai me humor./ZËRI