
ITALI- Prokuroria e Milanos ka mbyllur hetimet ndaj Chiara Ferragni dhe personave të tjerë për veprën penale "mashtrim i rëndë". Sipas Prokurorisë së Milanos, "influencerja" italiane ka marrë si fitim shumën 2 milionë e 200 mijë eurove nga shitja e "Pink Christmas" të kompanisë Balocco dhe vezëve të Pashkëve "Dolci Preziosi".
Përveç Chiara Ferragnit, hetimet janë mbyllur edhe për Fabio Damaton, ish-bashkëpunëtoren e tij të ngushtë, Alessandra Balocco, pronare e kompanisë Piemonteze që prodhon ëmbëlsirën "Pandoro", dhe Franco Cannillo të Dolci Preziosi. Pas mbylljes së hetimeve për ngjarjet e ndodhura në vitet 2021 dhe 2022, një reagim ka ardhur edhe nga Ferragni. Kjo e fundit shprehet se ka besim tek puna e gjyqësorit.
"Besoj se pafajësia ime do të sqarohet së shpejti,"-tha ajo, ndërsa një deklaratë më të gjatë kanë dhënë avokatët e saj, Giuseppe Iannaccone dhe Marcello Bana, të cilët shtuan: Ne besojmë se kjo çështje nuk ka asnjë rëndësi penale dhe se aspektet e diskutueshme tashmë janë trajtuar dhe zgjidhur brenda "Agcom". Ne do të fillojmë diskutimet me prokurorët publikë sa më shpejt të jetë e mundur dhe jemi të bindur në një përfundim pozitiv.
Pra për avokatët, Gjykata nuk do të ndërmarrë asnjë vendim kundër klientes së tyre, pasi çështja tashmë është zgjidhur para Autoritetit të Konkurrencës dhe Tregut.
Çfarë ishte skandali 'Pandoro'?
Vjet, gjatë festave të fundvitit, Ferragni bënte promovimin e pandorove që mbanin emrin e saj. Influencuesja kishte premtuar se për çdo shitje të ëmbëlsirës Balocco, një pjesë e parave do të shkonin për bamirësi, por e gjitha ishte një reklamë pasi paratë shkonin vetëm për kompaninë. Mendohet që nga ky bashkëpunim të jenë fituar rreth 1 milion euro, por ka rezultuar që asnjë qindarkë nuk ka shkuar për bamirësi. Chiara bashkë më kompaninë u gjobitën me një shumë prej 1.75 milionë eurosh./ZËRI