GJIROKASTËR– Ka vende ku koha duket sikur ndalet. Një prej tyre është padyshim gjimnazi “Asim Zeneli” në Gjirokastër. Pas dy dekadash nga dita kur lanë bankat e shkollës, një brez ish-maturantësh është rikthyer aty ku kaluan një nga periudhat më të bukura dhe më të rëndësishme të jetës së tyre.
Në fund të këtij gushti, korridoret, klasat dhe oborri i gjimnazit u mbushën sërish me zërat e atyre që dikur ishin vetëm adoleshentë. Sot, 20 vite më pas, ata erdhën jo më si nxënës, por si prindër, profesionistë, drejtues institucionesh apo thjesht njerëz që jeta i ka çuar në rrugë të ndryshme. Por për disa orë, gjithçka dukej sikur ishte kthyer pas në kohë. Fotot e vjetra u hapën sërish, emrat e shokëve u rikthyen në biseda dhe kujtimet për mësuesit, orët e mësimit, pushimet mes orëve, provimet dhe ditët e fundit të gjimnazit sollën një emocion të veçantë.
View this post on Instagram
Sepse 20 vite më parë, ata nuk e dinin se ku do t'i çonte jeta. Ishin thjesht një grup të rinjsh me plane të mëdha, ëndrra, pasiguri dhe shumë dëshirë për të parë botën përtej atyre mureve. Sot, kur rikthehen në të njëjtin vend, e shohin jetën nga një tjetër kënd. Dikur ishin nxënës. Sot janë prindër. Dikur prisnin me padurim të largoheshin nga shkolla. Sot janë kthyer për ta përqafuar sërish atë periudhë të jetës.
Gjimnazi “Asim Zeneli” është një nga institucionet arsimore me traditën më të gjatë në Gjirokastër. I themeluar në vitin 1924, institucioni ka më shumë se një shekull histori në arsimin shqiptar. Godina dhe pozicioni i saj, në peizazhin karakteristik të Gjirokastrës, e bëjnë shkollën pjesë të identitetit të qytetit. Guri, shpatet e malit, ndërtesat historike dhe atmosfera e qytetit muze krijojnë një sfond të veçantë për një institucion që ka parë breza të tërë të kalojnë nëpër bankat e tij.
Përgjatë dekadave, në këtë shkollë janë arsimuar breza nxënësish dhe emra të njohur të jetës publike, kulturore, akademike e politike shqiptare, ndër ta Enver Hoxha, Ismail Kadare, Dritëro Agolli dhe Fatos Arapi, emra që i përkasin historive të ndryshme, por që lidhen me traditën e arsimit në Gjirokastër./ZËRI