Qytetërim

Dame Anna Wintour tërhiqet nga posti i kryeredaktores së revistës "Vogue" pas 37 vitesh

Ajo do të mbetet drejtoreshë editoriale globale e Vogue dhe drejtuese kryesore e përmbajtjes për shtëpinë botuese, "Conde Nast".

k.m.
Dame Anna Wintour tërhiqet nga posti i kryeredaktores së revistës
Anna Wintour

SHBA- Dame Anna Wintour ka dhënë dorëheqjen si kryeredaktore e revistës amerikane Vogue pas 37 vitesh. Redaktorja e lindur në Britaninë e Madhe ia dha lajmin stafit të revistës në një takim të enjten, duke njoftuar se do të prezantohej një rol i ri, ai i kreut të përmbajtjes editoriale. Megjithatë, Wintour, e cila prej kohësh është pjesë e revistës “Vogue”, nuk do të largohet plotësisht nga botimi.

Ajo do të mbetet drejtoreshë editoriale globale e Vogue dhe drejtuese kryesore e përmbajtjes për shtëpinë botuese, "Conde Nast". Kushdo që merr rolin e drejtuesit të përmbajtjes editoriale do t'i raportojë drejtpërdrejt Dame Anna, e cila do të vazhdojë të mbikëqyrë të gjitha markat e Conde Nast, duke përfshirë Vanity Fair dhe GQ, përveç The New Yorker.

Sipas Vogue, Dame Anna i tha stafit në takimin e së enjtes se donte të ndihmonte gjeneratën e ardhshme të redaktorëve të pushtonin "fushën e modës" me idetë e tyre.

"Kushdo që punon në një fushë krijuese e di sa thelbësore është të mos ndalosh kurrë së rrituri në punën tënde. Kur u bëra redaktore e Vogue, mezi prisja t'u provoja të gjithë atyre që mund të më dëgjonin se ekzistonte një mënyrë e re dhe emocionuese për një revistë mode amerikane. Tani, kënaqësia ime më e madhe është të ndihmoj brezin e ardhshëm të redaktorëve të apasionuar të pushtojnë këtë fushë me idetë e tyre, të mbështetura nga një pikëpamje e re dhe emocionuese për atë që mund të jetë një kompani e madhe mediatike."

Përveç redaktimit të revistës amerikane Vogue, Dame Anna ka drejtuar Met Gala-n vjetore që nga viti 1995, duke mbledhur më shumë se 300 milionë dollarë (220 milionë paund) për Muzeut Metropolitan të Artit. Ajo mori detyrën në vitin 1988, pas një periudhe trevjeçare si redaktore e versionit britanik. Gjatë 37 viteve të saj në revistë, ajo e transformoi median duke paraqitur personazhe të famshëm në kopertinë dhe duke përzier modën e lartë me stilin e rrugës.

Dame Anna Wintour tërhiqet nga posti i kryeredaktores së revistës

Ajo u nderua me titullin “Damehood” për shërbimet e saj në modë në fillim të këtij viti.

Wintour është një nga figurat më të fuqishme dhe me ndikim në modën bashkëkohore, dhe lidershipi i saj ndihmoi Vogue të çimentonte pozicionin e saj si një "bibël mode".

E lindur në Londër në vitin 1949, ajo e përjetoi për herë të parë industrinë e modës në moshën 15 vjeç, kur filloi të punonte në butikun me ndikim të viteve 1960, Biba, dhe përvojën e saj të parë gazetareske e pati në revistën Oz. Ajo u zhvendos në Nju Jork në fillim të viteve 1970 dhe punoi për Harper's Bazaar dhe revistën New York si redaktore mode. Puna e saj e parë në Vogue erdhi në vitin 1983, kur u zgjodh drejtoresha e parë krijuese e revistës amerikane. Në vitin 1985, ajo zëvendësoi Beatrix Miller si kryeredaktore e British Vogue, por u kthye në New York City në vitin 1987 për të marrë përsipër House & Garden përpara se të zgjidhej si kryeredaktore e Vogue.

Vitet e saj të para në revistë u shënuan nga ndryshime dhe trazira. Ajo rekrutoi stafin e saj dhe kopertina e saj e parë për revistën, e cila u shfaq në nëntor 1988, shënoi herën e parë që një modele kopertine kishte veshur xhinse./ZËRI

Poll

MOS HUMB