
SHBA- Glamuri dhe fama shpesh fshehin realitete të trazuara që shumë të famshëm preferojnë t'i fshehin. Jeta publike e figurave si Demi Moore, Jennette McCurdy, Drew Barrymore, Whoopi Goldberg dhe Matthew Perry ka zbuluar shtresa të errëta që shkojnë përtej dritave të ndritshme të Hollivudit.
Nëpërmjet autobiografive të tyre, këta yje kanë ndarë përvojat personale të abuzimit, varësive dhe marrëdhënieve toksike familjare që shënjuan jetën e tyre që në moshë të re.
Demi Moore u abuzua seksualisht
“Si të ndihesh kur nëna jote të prostituon për 500 dollarë?,”- pyeti veten Demi Moore në librin e saj të kujtimeve "Inside Out", i cili u botua në vitin 2019. Gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës, Demi dhe nëna e saj jetonin sa në një qytet, në tjetrin. Edukimi i saj ishte veçanërisht i paqëndrueshëm për shkak të varësisë të së ëmës nga droga. Në moshën 15-vjeçare, ajo takoi burrin që do ta abuzonte për shkak të indiferencës dhe neglizhencës së nënës së saj: Val Dumas.
“Për shumë vite as që e konsideroja përdhunim. U binda se unë e kisha shkaktuar situatën. Në mendjen time si një vajzë 15-vjeçare, e meritoja atë që kishte ndodhur,”- pranoi aktorja në librin e saj.
Kështu, për të kulmuar rrëfimin e kësaj përvoje të dhimbshme, ylli i "Ghost" iu përgjigj pyetjes së saj fillestare “si të ndjehesh kur nëna jote të prostituon për 500 dollarë?...ndihesh si jetime.
"I'm Glad My Mother's Dead", libri autobiografik i ish-yllit adoleshent Jennette McCurdy, ishte një bestseller pas publikimit të tij në 2023.
McCurdy u bë e famshme nga seriali "iCarly". Jennette tregoi se vinte nga një familje me besim mormon dhe me vështirësi financiare. Debra, nëna e saj, luftoi me kancerin në pjesën më të madhe të rritjes së saj dhe marrëdhënia midis të dyve është ajo që trajtohet më shumë në faqet e librit të saj (siç tregon vetë titulli). Që në moshë shumë të re, Debra e bëri aktoren të ndihej fajtore që nuk ishte një vajzë ideale, nuk ishte mjaft e bukur, nuk ishte një aktore e mirë; duke ndikuar ndjeshëm në vetëvlerësimin e saj, por edhe në mënyrën sesi i themelonte marrëdhëniet e saj me të tjerët.
McCurdy tregoi në librin e saj, ajo ka rrëfyer se nëna e saj e ka larë deri në moshën 17-vjeçare, sepse nuk i besonte mënyrës sesi ajo lahej, e madje në disa raste e kishte detyruar të bënte dush me vëllain e saj. Përveç kësaj, e ëma gjithmonë ia kontrollonte pjesët e saj intime, gjoksin, me arsyetimin se e kontrollonte për ndonjë kancer të mundshëm. Zgjidhja e aktores për këtë rutinë traumatike ishte shkëputja nga realiteti: fluturimi për në Fantasyland.
Drew Barrymore ishte e varur nga droga në moshën 13-vjeçare. Në vitin 1990, ylli në rritje Drew Barrymore publikoi autobiografinë e saj nën titullin "Little Girl Lost". Në atë kohë, ajo ishte 15 vjeç dhe kishte qenë dy herë në një qendër rehabilitimi. Tregonte edhe se frekuntonte klubet e natës, pasi nëna e saj e merrte në festa që kur ishte fëmijë. Drew luftoi me të gjitha forcat për të qëndruar esëll dhe për të mos qenë një tjetër dështim dhe objekt talljeje.
Në librin e dytë që botoi në vitin 2015, "Lulja e egër", ajo sqaroi se nuk ka urrejtje ndaj nënës së saj dhe është e vëmendshme ndaj nevojave të saj: Nuk mund të funksionoja pa e ditur se ajo është mirë dhe dikush kujdeset për të. I jam mirënjohës asaj gruaje që më solli në botë. Sado joortodokse që ka qenë jeta jonë së bashku, nuk mbaj mëri sepse më pëlqen kjo që jam. Dhe kjo ishte e nevojshme në çdo hap të rrugës.
"Bits and Pieces: My Mother, My Brother, and Me"u botua këtë vit dhe tregon anën më intime të Whoopi Goldberg. Pasi u nominua për Oscar për "The Color Purple", artistja afrikano-amerikane arriti të fitonte statujën e lakmuar për "Aktoren më të Mirë" në rol dytësor. Megjithatë, pas suksesit dhe famës fshihej fantazma e një varësie. Gjithçka filloi në festa dhe, megjithëse gjithçka po shkonte mirë dhe varësia e saj nga kokaina “nuk dukej e rrezikshme”, por pak nga pak e pushtoi. Pika më e ulët e Goldberg, një "shuplakë në fytyrë" siç e quan ajo, ndodhi në një hotel në Manhattan. Gjatë qëndrimit të saj, aktorja e filmit nuk mund ta duronte më ankthin që i kishte shkaktuar kokaina pasi e pa veten në një pasqyrë me hundën dhe një pjesë të fytyrës të njollosur në të bardhë. Pikërisht në atë moment ajo e kuptoi se duhej të ndalonte.
“E dija që për t'u detoksifikuar do të më duhej të ndërroja miqtë dhe të refuzoja shumë ftesa. Por unë munda ta bëja sepse nuk doja të vdisja,”-shkruan ajo.
Matthew Perry dhe varësia e tij nga droga
Matthew Perry ishte vetëm 14 vjeç kur provoi për herë të parë një pije alkoolike dhe besonte se ndjenja e dehjes e ndihmonte të qetësonte nervat dhe ankthin e tij. Vite më vonë, atij do t'i duhej një qendër rehabilitimi për të kapërcyer varësitë e tij edhe pse po xhironte serialin më të suksesshëm ndonjëherë: Friends!Në vitin 2019, Perry gati vdiq kur i shpërtheu zorra e trashë dhe u dërgua me urgjencë në spital.
Operacioni për ta shpëtuar zgjati rreth shtatë orë dhe ai ishte në koma për dy javë. Pasi u zgjua, ai u shtrua në spital për pesë muaj. Ndonëse mendonte se kishte kaluar pjesën më të keqe, ai pothuajse vdiq përsëri pasi u shtrua në një klinikë rehabilitimi në Zvicër. Një anestezi e aplikuar gjatë një operacioni, e bëri papritur zemrën e tij të ndalojë për pesë minuta.
Në autobiografinë e tij, Matthew Perry e kishte përshkruar marrëdhënien e tij me ketaminën si "goditje lumturie në kokë".
Aktori vdiq më 23 tetor 2023 nga një mbidozë ketamine. Vdekja e tij aktualisht mbetet nën hetim dhe ka vënë në qendër të vëmendjes një rrjet trafiku droge në Hollywood./ZËRI