
SHBA- Al Pacino zbuloi sesi e ka përjetuar periudhën kur ishte infektuar nga pandemia e koronavirusit. Aktori i njohur foli për "New York Times" duke zbuluar se për pak sa nuk kishte humbur jetën nga pandemia që mbërtheu të gjithë globin. E gjithë kjo ndodhi teksa ai kishte humbur ndjenjat për pak çaste për shkak të temperaturës së lartë që nuk i ulej, e cila e kishte dehidratuar.
“Isha ulur aty në shtëpinë time dhe në një moment...ika. Për pak minuta ambulanca ishte para shtëpisë sime. Më pas u përmenda, kisha gjashtë infermiere dhe dy mjekë tek koka."
Megjithatë, ai nuk ka treguar se kur ka ndodhur e gjithë kjo, por shtoi se pas kësaj eksperience nuk e sheh vdekjen në të njëjtën mënyrë.
“Nuk e pashë atë dritë të bardhë që thonë njerëzit, apo ndonjë gjë tjetër. Nuk ka asgjë atje tej. Nuk e kisha menduar kurrë në jetë. Por për ne aktorët tingëllon bukur të thuash "kam vdekur një herë,"-shtoi ai në fjalën e tij.
Pavarësisht përvojës së tmerrshme, kur u pyet nëse frika e tij shëndetësore ndryshoi mënyrën se si ai jeton tani, 84-vjeçari u përgjigj: Aspak!/ZËRI