Politikë

Zvërneci në fokus të parlamentit holandez, 7 pyetjet e deputetëve: Hetim mbi kompanitë guaskë

Ndër pyetjet kryesore, deputetët kërkojnë të dinë nëse autoritetet holandeze janë në dijeni të hetimeve për korrupsion që lidhen me projektin.

zh.ll
Zvërneci në fokus të parlamentit holandez, 7 pyetjet e
foto ilustrim: parlamenti i holandes-zverneci

HOLANDË- Projekti i resortit turistik në Zvërnec, i lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, është bërë sërish objekt diskutimi në Parlamentin e Holandës.

Deputetët e Parlamentit të Holandës kanë ngritur shtatë pyetje zyrtare drejtuar Ministrit dhe Sekretarit të Shtetit për Financat, duke kërkuar sqarime mbi përdorimin e kompanive "guaskë" holandeze në strukturën e pronësisë së investimit dhe dyshimet për korrupsion që lidhen me këtë projekt.

Dokumenti zyrtar, i dorëzuar në Dhomën e Përfaqësuesve (Tweede Kamer) bazohet në një investigim të medias holandeze Folloë The Money, e cila raportoi mbi lidhjet mes kompanive "guaskë" të regjistruara në Holandë dhe projektit të resortit në Shqipëri.

Ndër pyetjet kryesore, deputetët kërkojnë të dinë nëse autoritetet holandeze janë në dijeni të hetimeve për korrupsion që lidhen me projektin. Po ashtu, ata kërkojnë të dinë edhe nëse qeveria e konsideron përdorimin e strukturave komplekse të pronësisë, të kombinuara me investime të mëdha të huaja dhe institucione të dobëta, një rrezik për transparencën dhe kontrollin demokratik.

Pyetjet e plota:

1. A jeni në dijeni të hetimit për korrupsion lidhur me resortin në Shqipëri, i cili çon te kompanitë guaskë (shell companies) në Holandë?

2. A e ndani vlerësimin se kombinimi i investimeve të mëdha të huaja, kontrollit të dobët institucional dhe strukturave komplekse holandeze të pronësisë përbën një rrezik të madh për kontrollin demokratik?

3. A e ndani vlerësimin se Holanda, si ofruese e kompanive guaskë (shell companies), luan një rol të rëndësishëm në fshehjen ose largimin e parave që vijnë nga jashtë vendit?

4. A është e vërtetë që aksionarët nuk kanë nevojë të bëhen publikë nëse zotërojnë më pak se 25% të projektit? Sa hapësirë ka Holanda për ta ashpërsuar këtë rregull? A jeni i gatshëm ta bëni këtë?

5. A jeni i gatshëm të bashkëpunoni në mënyrë proaktive me hetimin shqiptar kundër korrupsionit (SPAK) dhe të siguroni që të bëhen të njohur të gjithë aksionarët e këtyre strukturave?

6. A mund të paraqisni një përmbledhje të entiteteve të përfshira që kanë lidhje me Holandën dhe të tregoni se nën cilin legjislacion bëjnë pjesë ato?

7. A jeni i mendimit se sektori dhe vetërregullimi i tij funksionojnë aktualisht në mënyrë të mjaftueshme në interes të publikut? Çfarë masash keni ndërmarrë vitet e fundit për të rregulluar më fort sektorin e entiteteve? A janë arritur objektivat e synuara?

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB