Politikë

Berisha sulmon Artan Hoxhën: I them anëtarit të 'Bajrajve', do shkosh ku ke vendin

Berisha tha se ai nuk mbron asnjë person që ka probleme me ligjin

E.K
Berisha sulmon Artan Hoxhën: I them anëtarit të
Sali Berisha dhe Artan Hoxha

TIRANË- Ish kryeministri Sali Berisha u pyet sot nga gazetari i ZËRI, Edon Kuqi, mbi qëndrimin e tij pas arrestimit të Erzen Breçanit. Berisha mohoi që Breçani të ketë qenë truproja e tij, edhe pse ZËRI ka publikuar pamjet e rralla ku ish-drejtori i policisë shfaqej në një takim elektoral të tij në qytetin e Lushnjes, së bashku me Sali Lushajn.

Nga ana tjetër Berisha ka shpërthyer në akuza të forta në drejtim të gazetarit Artan Hoxha, që sipas tij ka dalë në përgjime si shërbyes i bandës Bajri.

Duke iu referuar një deklarate të bërë mbrëmë nga gazetari Hoxha, se pas kullës që po ndërtohet te ish-ekspozita qëndron një person i afërt me Berishën, ish-kryeministri tha se ai fton SPAK që ta sekuestrojë sa më parë këtë godinë.

Zoti Berisha, në rastin e operacionit "Metamorfoza" ku u arrestua biznesmeni Pëllumb Gjoka, ju nisët një fushatë denoncimesh publike për lidhjet e tij me PS, përfshirë edhe akuzat drejt ish-drejtorit të AMP, Ard Veliu dhe ministrit Balla? Por, prej 4 ditësh, ish-truproja juaj Erzen Breçani është arrestuar, por në këtë rast, PD dhe ju jeni mjaftuar me vetëm një deklaratë ku thoni se prisni rezultatin e hetimit. A keni një koment më tej, në lidhje me akuzën që SPAK ngre ndaj tij dhe të birit, duke e krahasuar edhe me njohjen tuaj me Breçanin. A jeni habitur nga bisedat dhe aktiviteti i tij?

Berisha: Së pari, Erzen Breçani të garantoj se nuk ka qenë kurrë në jetën e tij, badigard i Sali Berishës dhe kjo është një gënjeshtër e bazuar në mashtrime. Nuk ka qenë jo se Sali Berisha ka pasur vërejtje për të, ai ka qenë një polic gjerësisht i vlerësuar në kryerjen e deyrës në të gjitha postet që ka pasur. Kështu që t’i themi ato siç janë. Së dyti, për Erzen Breçanin dhe për çdo njeri tjetër, Sali Berisha ka vetëm një qëndrim, ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin. Kushdo që ka shkelur ligjin, duhet të bëhet përgjegjës para ligjit. Së treti, se kam dëgjuar unë, dhe dua t’i them atij anëtarit të bandës së Bajrit, që deklaron se ajo kulla e Matës qenka e një të afërmi tim, unë kërkoj që nesër, nëse është e një të afërmi tim, ajo të konfiskohet. Unë nuk kam asnjë dijeni. Po i them anëtarit të bandës Bajri, mirë është të shkojë dhe të japë llogari dhe të mos mendojë se do kalojë krimet që ka kryer në emër të bandës, duke shpifur, duke trilluar, duke folur poshtë e përpjetë. Se ato nuk e shpëtojnë. Se ai është anëtar i paguar i bandës së Bajrit, me dokumente. Me dokumente! Siç e kam akuzuar atë unë njëherë për hjekës në vrasje, se është vrarë djali 24-vjeçar në Zemblak, vetëm e vetëm pse denoncoi te ai, i keqpërdorur nga policia dhe të gjitha anët, denoncoi parcelat e drogës të oficerëve të policisë në Korçë dhe mori plumb pas koke në Zemblak 24-vjeçari. Tani i them atij, avash avash, duhet të marrësh atë që do marrin Bajrët me shokë. Duhet t’ia them këtu, sepse kur Bajrët ulën në studiot televizive, bashkë me ju, dhe u kapardisën si njerëz me njohuri të thella, për faktin e vetëm se janë anëtarë të bandave më të rrezikshme, ata e meritojnë të shkojnë atje ku e kanë vendin dhe jo në studiot televizive. E them këtë në emër të interesit publik, për të tjerat do njiheni më vonë. Në fund, çdo njeri që shkel ligjin, duhet të marrë atë që meriton. Nuk kam asnjë lloj komenti tjetër, pavarësisht se kush është. Nuk gjen kush kurrë një njeri që të kem mbrojtur një shkelës ligji. Asnjëherë!

/Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB