Politikë

Zgjidh zanatin! Brenda Dhjetorit gjimnazistët mund të transferohen në shkollat profesionale

Edi Rama tha se hotelet dhe të gjitha strukturat e shërbimit janë në kërkim të profesionistëve të rinj, duke mos e patur më në fokusin e tyre pagën e ulët

E.K
Zgjidh zanatin! Brenda Dhjetorit gjimnazistët mund të transferohen
Edi Rama

TIRANË- Zgjidh zanatin! Kjo është nisma e re që është prezantuar nga qeveria dhe ministria e Arsimit, për të nxitur të rinjtë që ti drejtohen arsimit profesional.

Brenda muajit dhjetor, nxënësit e viteve të para të gjimnazeve, mund të transferohen lehtësisht në shkollat e arsimit profesional, nëpërmjet e-Albania. Sipas kryeministrit Edi Rama arsimi profesional është një rrugë alternative e sigurtë për të rinjtë, që të pajisur me armën e një zanati mund të gjejnë lehtësisht punë në një treg të etur ku pagat po vazhdojnë të rriten ndjeshëm.

Në të gjithë vendin kapaciteti i shkollave të mesme profesionale është për 4 mijë nxënës, dhe kjo hapësirë sipas kryeministrit duhet të përmbushet plotësisht, në mënyrë që vendi të ketë profesionistët e duhur në shumë fusha.

“Në këtë fazë të zhvillimit të vendit ne duhet të bëjmë një sforco të përbashkët për të kapërcyer pengesat që ngrihen ose janë ngritur për arsye të ndryshme. Nuk dua të bëj një shtjellim të arsyeve se pse situata me arsimin professional nuk është ajo që do të ishte e dëshiruara për nevojat që ka vendi sot. Por ne kemi mundësinë që ta adresojmë këtë situatë me më shumë agresivitet, patjetër që duhet më shumë edhe më shumë do të bëjmë. Aktualisht nëse i nxisim dhe i shtyjmë nxënësit që në numra të konsiderueshëm të integrohen në arsimin professional, e bëjmë pa shqetësimin se ata nuk do të kenë kushtet e duhura. Duhet të zgjerojmë infrastrukturën, kemi nmjaftueshëm vend për fazën e parë e cila ka nisur”, tha Rama.

Duke iu referuar sektorit të turizmit, kryeministri Edi Rama tha se hotelet dhe të gjitha strukturat e shërbimit janë në kërkim të profesionistëve të rinj, duke mos e patur më në fokusin e tyre pagën e ulët.

“Këtu bëhet fjalë për të gjetur më të mirën për një numër të konsiderueshëm fëmijësh dhe për t’ju dhënë atyre një zanat. E njëkohësisht për të ndihmuar sipërmarrjet e atij territorit dhe gjithë vendit. Si do rriten pagat e mësuesve? Natyrisht me politikat e qeverisë, por pyetjen e bëj si rriten më shumë? Duke pasur më shumë ekonomi dhe të ardhura.

kemi më shumë ekonomi nga turizmi dhe jemi drejtori arsimore në një zonë turistike, na takon apo s’na takon që të mendojmë si të rrisim kapacitetet e këtyre objekteve të industrisë së turizmit, në mënyrë që kjo zonë ku jetojmë vetë të marrë më shumë zhvillim edhe për shkak të kontributit tonë si sistem arsimor. Duhet bërë një shkëputje nga rruga rutinë dhe duhet hapur një rrugë e re, duhet mobilizim i gjithë trupës, që të ecim shumë shpejt.

Objektivin duhet ta realizojmë me çdo mjet, s’mund të presim 4 vjet dhe të ecim me hapin e breshkës sepse tregu i punës është në kufirin e lëngimit. Sot s’të pyesin sa e do rrogën, po a vjen a s’vjen? Se nuk i kanë në radhë të rinjtë ose ata që janë të gatshëm të punojnë. Sigurisht duan dhe cilësi, jo të marrin njerëz që s’dinë të lidhin përparësen, por njerëz që kanë marrë një edukim”, tha më tej Rama gjatë fjalës së tij në takim.

/Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB