
TIRANË- Lulzim Basha nuk ka asnjë kandidat zyrtar për zgjedhjet e pjesshme lokale që do të zhvillohen për Bashkinë e Kukësit, megjithatë Kolegji Zgjedhor është treguar "bujar" dhe i ka caktuar 2 vëzhgues. Vendimi është marrë paraditen e sotme nga KGJ, pasi grupi i Partisë Demokratike të Lulzim Bashës, ankimoi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe më pas atë të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, duke i dhënë dy anëtarë të KZAZ-së në zgjedhjet për bashkinë e Kukësit. Në një situatë të tillë, koalicioni "Bashkë fitojmë", me logon e të cilit garon kandidati opozitar Emri Vata, do të 'varet' vetëm tek një anëtar i KZAZ-së. Ai që i takon Partisë së Lirisë.
Kolegji Zgjedhor ia ka pranuar kërkesën e Bashës, duke e cilësuar si forcën më të madhe opozitare në vend, e dalë nga zgjedhjet vendore të 14 majit, edhe pse kandidatët e tij kanë marrë më pak vota se koalicioni zyrtar i opozitës. Deri më tani, nga ana e Partisë Demokratike të Berishës, nuk ka asnjë reagim nëse vendimin do ta ankimojnë deri më 24 shtator, datë kur do të zhvillohen edhe zgjedhjet. Por në heshtje deri më tani është edhe Gazment Bardhi, i cili aktualisht ka numrin më të madh të deputetëve demokratë pas vetes. Mbetet për t'u parë se cili do të jetë hapi i radhës së PD-së, ndërkohë që aktualisht palët janë ende në gjyq për kreun e selisë blu. Gjykata e Tiranës njeh Lulzim Bashën, Sali Berisha ka marrë më shumë vota në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara, ndërsa një prej krerëve të grupeve parlamentare, Gazment Bardhi nuk njeh për kryetar as Berishën dhe as Bashën. Në kushte të tilla, palët i janë drejtuar për vendim Gjykatës së Lartë.
Zgjedhjet lokale në Kukës, të dytat për këtë vit, do të mbahen më 24 shtator, ku përballë do të jenë Albert Halilaj, i cili do të garojë nën siglën e Partisë Socialiste dhe Emri Vata, kandidat i "Bashkë fitojmë". Votimet do të mbahen pas dorëheqjes së Safet Gjicit, i cili la postin pas një videoje intime, e cila ishte xhiruar në zyrën e tij. Fillimisht u raportua si skandal seksual, por në video të tjera të nxjerra nga gazetari investigativ, Artan Hoxha, Gjici dhe "e ashtuquajtura" Alma K., pas aktit, diskutonin për dhënien e një tenderi për rehabilitimin e qenëve endacakë.