
HIMARË- Qytetarët po votojnë për zgjedhjet e pjesshme të Himarës. Por nuk kanë munguar reagimet e kampeve politike. Qëndresa Qytetare njoftoi se po monitoron zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Himarë dhe deri në orën 10:00 janë identifikuar disa problematika, të cilat i kanë listuar në një postim të bërë në rrjetet e tyre sociale. Mes tyre janë mungesa e listave të votuesve në KQV, votuesit me karta të skaduara që nuk ushtrojnë dot të drejtën, mosinformimi i qytetarëve për qendrat e votimit, pritjet e gjata dhe tensionet mes komisionerëve. Po ashtu, evidentojnë edhe faktin se për shkak se në zonë përdoret edhe gjuha greke, vëzhguesit e kanë të vështirë të kuptojnë atë që thuhet në mënyrë që të mbajnë shënime për parregullsitë e votimit.
Qëndresa Qytetare: Qëndresa Qytetare po monitoron zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Himarë. Deri në orën 10:00 janë identifikuar këto problematika: - Mungesa e listave të votuesve para KQV për orët e para të votimit; - Një numër i konsiderueshëm i votuesve kanë pasur karta ID të skaduara, duke e bërë të pamundur votimin; - Qytetarët nuk janë të informuar se ku duhet të votojnë dhe për shkak të pritjeve të gjata në QV demotivohen për të votuar; - Tension mes komisionerëve. Një nga problemet më kritike ishte përdorimi i gjuhës greke nga komisionet në KQV, duke vështirësuar kështu edhe rolin e vëzhguesve. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që institucionet përkatëse të ndërmarrin masa për të siguruar një proces zgjedhor të drejtë, transparent dhe të aksesueshëm për të gjithë qytetarët. Këto problematika nuk duhet të pengojnë të drejtën themelore të qytetarëve për të votuar dhe për të marrë pjesë në procesin demokratik. Ne inkurajojmë të gjitha palët të bashkëpunojnë për të garantuar një mjedis zgjedhor të qetë dhe të rregullt.
Në total janë 36 qendra votimi në Himarë, që do të jenë të hapura deri në orën 19:00. Më pas, do të nisë numërimi.
Gara zhvillohet mes Vangjel Tavos që kandidon nën siglën e PS dhe kandidatit opozitar Petro Gjikuria. Zgjedhjet e 4 gushtit në Himarë vijnë pas burgosjes së ish-kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri dhe dënimit të tij nga gjykata me dy vjet heqje lirie për blerje votash./ZËRI