
HIMARË- Kandidati i Partisë Socialiste për Himarën, Vangjel Tavo votoi në qendrën e votimit në Palasë. I shoqëruar nga e shoqja dhe nga vajza e mitur, të cilën e mbante përdore, përpara se të hyjë në QV, Tavo është përshëndetur në greqisht dhe shqip me banorët e zonës. Pasi ka hedhur fletën e votimit në kuti, Tavo kishte një thirrje edhe për banorët e zonës. Këtyre të fundit u kërkoi që të votonin, ndërkohë që nuk bëri asnjë koment tjetër. Edhe pse u pyet lidhur me problematikën e qytetarëve që nuk votojnë dot për shkak se u kanë skaduar letërnjoftimet, Tavo tha: Askush nuk është mbi ligjin!
PRONONCIMI PËR MEDIAT:
Vangjel Tavo: Sot e kanë fjalën Himara dhe himarjotët për të votuar. Procesi deri më tani ka qenë shumë i qetë. Uroj që ky proces të vijojë kështu deri në momentin e fundit. Uroj të mbizotërojë qetësia, i bëj thirrje të gjithë himarjotëve që të dalin masivisht në votime. Të votojnë projektin dhe alternativën më të mirë për Himarën dhe himarjotët kudo që ndodhen.
Problematika me kartat e ID?
Vangjel Tavo: Nuk është çështja ime, është çështja e organeve e KQZ, e ligjit në fund të fundit. Mbi ligjin nuk mund të dalë asnjë njeri, kështu që nuk kam asnjë koment.
Gara këto zgjedhje zhvillohet mes Vangjel Tavos që kandidon nën siglën e PS dhe kandidatit opozitar Petro Gjikuria. Zgjedhjet e 4 gushtit në Himarë vijnë pas burgosjes së ish-kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri dhe dënimit të tij nga gjykata me dy vjet heqje lirie për blerje votash./ZËRI