
TIRANË- Ish-ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka folur sërish për çështjen e bashkëshortit të saj. Sipas saj, për shkak të akuzave të opozitës dhe jo vetëm, sot është detyruar që të kthehet në "avokaten" e të shoqit. Sot në intervistë të dhënë për "Report Tv", Olta Xhaçka nguli këmbë sërish se rasti i saj nuk ka të bëjë me papajtueshmërinë e mandatit, pasi as ajo dhe as familjarët e saj nuk kanë përfituar prona nga shteti. Madje tregoi edhe njëherë se për lejen e dhënies në përdorim të plazhit për kompaninë e bashkëshortit të tij e kishte mësuar kur kishte parë rendin e ditës së mbledhjes së qeverisë.
"Për të më hedhur baltë dhe për në furtunë në gotë. Më detyrojnë të bëjnë avokate të bizneseve të bashkëshortit tim. Duan që në mënyrë të pamoralshme të hedhin baltë dhe përmes sulmeve të papërgjegjshme të krijojnë idenë se ku ka një zë patjetër nuk është pa gjë. Ku ka një ministër ka patjetër një aferë dhe ku ka një cështje patjetër duhet të ketë ndikuar anëtari i kabinetit qeveritar, kryeministri...,"-tha Xhaçka.
Bashkëshorti i ish-ministres gëzon edhe statusin e investitorit strategjik. Dosja në fjalë lidhet me dhënien e një prone e cila sipas Belerit është tjetërsuar dhe më pas i është shitur Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka. Beleri akuzon në kallëzimin e tij, kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro, Artan Gaçin dhe ZRVPP Vlorë për falsifikimin që i dha 5512 metra katrorë tokë, familjes Foto Pavllo Mëhilli. Kjo pronë e cila është tokë truall, u regjistrua në ATMP si tokë bujqësore dhe më pas iu shit Artan Gaçit. Beleri që është edhe kallëzuesi për këtë çështje akuzon kryebashkiakun Jorgo Goro se ka vendosur një parcelë në një hartë që nuk ekzistonte duke shtuar se edhe numri i pasurisë nuk ekzistonte./ZËRI