Politikë

Dosja shqiptare, WP: McGonigal do deklarohet fajtor për paratë që i dha Agron Neza

Një aktakuzë e dytë, e ngritur në Uashington, akuzon McGonigal për fshehjen e pagesave prej 225,000 dollarësh që ai dyshohet se kishte marrë nga "Personi A", i përshkruar në dokumentet e akuzës si një burrë i Nju Xhersi, i identifikuar si Agron Neza.

k.m.
Dosja shqiptare, WP: McGonigal do deklarohet fajtor për paratë që
Charles F. McGonigal

SHBA- Ish-agjenti kryesor i FBI-së në Nju Jork, i cili muajin e kaluar u vetëdeklarua fajtor duke pranuar se kishte shkelur sanksionet e SHBA-së dhe kishte pastruar fondet e një miliarderi rus që ai dikur e hetoi. Sot, të premten, pritet që ai të pranojë fajtin edhe për një rast të ndarë; lidhur me paratë që ka marrë nga një ish-punonjës i inteligjencës shqiptare, Agron Neza. "The Washington Post" shkruan sot se seanca dëgjimore do të nisë sot, ku Charles F. McGonigal, 55 vjeç do të dalë sërish përpara gjykatëses së qarkut të SHBA Colleen Kollar-Kotelly.

McGonigal u përball me dy akuza federale për falsifikimin e të dhënave ose dokumenteve, të dënueshme deri në 20 vjet burg, dhe 7 akuza të tjera që lidhen me fshehjen e materialeve, për të cilat mund të dënohet deri në 5 vite burg. Avokati i McGonigal, Seth DuCharme dhe një zëdhënëse e zyrës së avokatit amerikan për Distriktin e Kolumbisë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment përpara seancës.

Si agjent special i ngarkuar me divizionin e kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork nga viti 2016 deri në 2018, McGonigal mbikëqyri hetimet e oligarkëve rusë, duke përfshirë Oleg Deripaskan, një aleat i presidentit rus Vladimir Putin. McGonigal doli në pension nga FBI në shtator 2018. McGonigal u deklarua fajtor muajin e kaluar në Manhatan për marrjen e 17,500 dollarëve  në 2021 në emër të Deripaska për të ndihmuar në heqjen e miliarderit nga lista e sanksioneve të SHBA-së dhe për të 'rrëmuar' për të dhëna mbi një oligark rival rus. Një aktakuzë e dytë, e ngritur në Uashington, akuzon McGonigal për fshehjen e pagesave prej 225,000 dollarësh që ai dyshohet se kishte marrë nga "Personi A", i përshkruar në dokumentet e akuzës si një burrë i Nju Xhersi, i identifikuar si Agron Neza.

Aktakuza pretendon se McGonigal ka vepruar për interesat e personit A (Agron Neza) që të paktën nga gushti 2017 dhe ka vazhduar pas daljes në pension të tij nga FBI, ndërkohë që nuk ka zbuluar marrëdhënien që ka pasur me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

"Sipas aktakuzës, McGonigal mori 225,000 dollarë në para nga personi A në fund të vitit 2017. Muaj më vonë, FBI me nxitjen e McGonigal hapi një hetim për partinë kryesore politike opozitare të Ramës në Shqipëri, një hetim që përdorte personin A si burim informacioni,"- pretenduan prokurorët.

Në një udhëtim të veçantë në Austri në vitin 2017, McGonigal dhe një prokuror i Departamentit të Drejtësisë intervistuan një politikan shqiptar, të cilit McGonigal i ishte prezantuar nga Personi A, i cili kërkonte që dikush të hetonte një kërcënim me vdekje, të akuzuar në aktakuzë. Më vonë u pretendua se politikani në fjalë ishte Tom Doshi, por ende nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga McGonigal. 

Një nga zyrtarët më të lartë të FBI-së që është akuzuar ndonjëherë për një krim, McGonigal udhëhoqi hetime me rëndësi për vendin; duke përfshirë publikimin e kabllogrameve të klasifikuara të Departamentit të Shtetit në vitin 2010 në WikiLeaks dhe kërkimin e një spiuni kinez që dyshohet se operonte brenda CIA-s.Në seancën kur pranoi fajësisë në Nju Jork, McGonigal tha: E kuptova se çfarë rezultatesh kishin veprimet e mia dhe jam thellësisht i penduar për këtë. Unë paraqitem para jush në këtë gjykatë për të marrë përgjegjësinë e plotë pasi veprimet e mia nuk synonin kurrë të lëndonin Shtetet e Bashkuara, FBI-në, familjen dhe miqtë e mi.

Në publikimin e dosjes së plotë dhe aktakuzës me 9 pika që FBI ka kopsitur për ish-agjentin dhe shefin e kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal, protagonist është kryeministri Edi Rama dhe lufta e tij kundër opozitës. McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare. Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB