
TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, i cili ka tentuar që të krijojjë një pol të tretë brenda kësaj force politike në raport me luftën mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, ka pranuar mbrëmjen e djeshme se demokratët kanë dështuar për të larguar nga jeta politike ish-kryeministrin e shpallur non grata. Bardhi tha se bashkërendimi i punës mes deputetëve që e mbështesin, dhe atyre në grupin e Berishës nuk do të thotë bashkim.
Bardhi nënvizoi se mes SHBA-së dhe Berishës zgjedh të jetë me SHBA-në. Ndërsa mes Edi Ramës dhe Sali Berishës zgjedh të jetë me këtë të fundit për sa kohë ka besimin e një pjese të opozitës. Sa i takon distancimit të ambasadës amerikane nga përplasjet e brendshme në PD, Bardhi përshëndeti qëndrimin.
“Nuk është roli i ambasadës që të zgjedhë se kush udhëheq partitë politike në Shqipëri", thuhej në një deklaratë të ambasadës amerikane, pyetur në lidhje me debatin në PD, ndërkohë që vetë Bardhi duket të jetë në udhëkryq edhe sa i takon raportit me selinë diplomaqtike në Shqipëri.
“Unë nuk jam bashkuar (me Berishën). E mbështes 100% deklaratën e SHBA. Kam qenë në studio me ju ditën e parë kur është bërë takimi dhe të kam pohuar ekzaktësisht atë që thotë deklarata. Nuk ka asnjë ndryshim të SHBA sa i përket “non gratave” dhe kjo është një çështje që mua më ndan me zotin Berisha. Mes SHBA-së dhe zotit Berisha unë zgjedh SHBA. Mes zotit Berisha dhe Edi Ramës unë zgjedh Sali Berishën sa kohë është opozitar dhe ka besimin e një pjese të popullit opozitar”, tha Bardhi në Opinion.
Ndërkohë që Bardhi u përgjigj dhe për raportin e thyer me Lulzim Bashën, për të cilin tha se e ka marrë peng PD për interesa personale.
-Çfarë ka ndodhur mes jush dhe Lulzim Bashës? Ju pamë në Parlament shumë të tensionuar, më duket se edhe e shave.
Gazment Bardhi: E kam thënë publikisht, nuk ndihem krenar për atë debat që kam bërë me kolegun Basha sepse nuk jam atje për të debatuar.
-Çfarë ndodhi? Ju dukeshit se kishit një raport shumë të mirë.
Gazment Bardhi: Padiskutim kemi pasur një raport shumë të afërt personal dhe njerëzor, mesa duket zoti Basha nuk mirëkupton dot faktin që për Gazment Bardhin interesi i opozitës dhe PD-së është mbi çdo interes personal. Unë nuk jam në Partinë Demokratike për asnjë emër të përveçëm…
-Po interesi i Bashës cili është?
Gazment Bardhi: Në këtë moment, ajo që po bën zoti Basha absolutisht është jo në dobi të vendit, jo në dobi të PD-së.
-Po çfarë po bën atëherë?
Gazment Bardhi: Terësisht për një interes personal, nuk ka asnjë diskutim! Ai ka nevojë të reflektojë, nuk i takon zotit Basha të mbajë flamurin e përçarjes së opozitës. Ia kam thënë privatisht para qëndrimit tim publik, jam përpjekur t’ja shpjegoj që rruga që po ndërrmerr nuk e ndihmon PD-në dhe se kemi nevojë për zgjidhje. Ai në rrugën e vet, unë në rrugën time. Nuk bie dakord me atë që po bën, por nuk kam asnjë paragjykim për asnjë çështje.