Politikë

Vula i kaloi Berishës/ Apeli ZBARDH VENDIMIN, gafa juridike që u hoqi partinë nga 'duart' Alibeajt & Bashës

Ndërkohë sa i përket rekursit të bërë nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit asokohe, në Gjykatën e Lartë, Apeli sqaron me këtë veprim GJL ka legjitimuar këtë komision si përfaqësuar të PDSH.

E.K
Vula i kaloi Berishës/ Apeli ZBARDH VENDIMIN, gafa juridike që u hoqi
Sali Berisha dhe Lulzim Basha

TIRANË- Gjykata e Apelit ka zbardhur këtë të premte vendimin e datës 11 Qershor, i cili i dha Sali Berishës vulën dhe logon e Partisë Demokratike. Në vendimin e arsyetuar që çoi vulën dhe logon e PD-së në duart e kryedemokratit Sali Berisha bie në sy dhe “gafa juridike” e Enkelejd Alibeajt dhe Lulzim Bashës. Kështu Gjykata e Apelit bën me dije se ankimimi i bërë nga Enkelejd Alibeaj, më 4 Prill të vitit 2022, kundër vendimit të Shkallës së Parë që njohu Kuvendin Kombëtar të Rithemelimit të Sali Berishës është i pavlefshëm.

Kjo pasi në atë datë, Alibeaj nuk kishte më tagrin ligjor që të përfaqësonte Partinë Demokratike, pasi kishte skaduar autorizimi i lëshuar nga Basham sepse ky i fundit kishte dhenë dorëheqjen dhe zyrtarisht nga detyra e kryetarit.

“Gjykata analizon elementët formal të ankimit, gjykata konstaton se ankimi është nënshkruar nga z.Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e përfaqësuesit me autorizim të kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Autorizimi/Akti i Përfaqësimit i datës 15.09.2021, lëshuar nga Kryetari i PDSH-së për zotin Alibeaj, i ka dhënë këtij të fundit tagra të përgjithshme përfaqësimi të subjektit politik PDSH në të gjitha proceset gjyqësore. Ankimi kundër vendimit nr.3, datë 25.03.2023 është nënshkruar nga z.Enkelejd Alibeaj, si përfaqësues me autorizim i kryetarit të PDSH-së. Bashkëngjitur ankimit është dhe autorizimi i datës 15.09.2021 i lëshuar nga z. Lulzim Basha. Gjykata e apelit vlerëson se autorizimi i datës 15.09.2021, nuk ka pasur efekte juridike pas datës 21.03.2022, kur z.Lulzim Basha ka hequr dorë publikisht nga funksioni i kryetarit të PDSH-së. Në këto kushte përfaqësuesi i tij, z.Enkelejd Alibeaj, nuk ka patur tagrin për të hartuar e nënshkruar ankimin e datës 04.04.2022 për këtë çështje. Gjykata e apelit vlerëson se pavarësisht se dorëheqja e kryetarit të PDSH z. Lulzim Basha nuk është kryer në formën shkresore dhe as ka gjetur pasqyrim në regjistrin e partive politike, është një fakt i njohur botërisht dhe i pranuar dhe nga organe të tjera administrative dhe gjyqësore vendimmarrëse në procesin zgjedhor”, thuhet në vendimin e Apelit.

Në vendim, Gjykata e Apelit sqaron se autorizimi për përfaqësim te të tretët, është një akt i njëanshëm delegimi kompetencash. Në rastin e autorizimit prokurës së lëshuar nga personi juridik, nënshkruesi i saj nuk delegon tagra personale por tagra që lidhen ekskluzivisht me detyrën apo pozicionin përkatës. Nisur nga kjo, efektet juridike të autorizimit apo vlefshmëria e tij mbaron automatikisht me mbarimin apo humbjen e kompetencave të personit nënshkrues të autorizimit. Pra në këtë rast, Basha humbi të drejtën të jetë kryetar I PD-së, rrjedhiomisht dhe të gjithë autorizimit e klëshuara prej tij për delegim kompetencash humbasin vlerën e tyre.

“Me dorëheqjen publike të z.Lulzim Basha në datën 21.03.2022 autorizimi i lëshuar nga ky i fundit për z. Alibeaj ka mbaruar juridikisht dhe nuk ka qenë më i aftë të prodhojë asnjë pasojë juridike. Autorizimi i z.Lulzim Basha i datës 15.09.2021 nuk kishte më vlerë juridike pas datës 21.03.2022, pas dorëheqjes së tij publike. Gjykata e apelit vlerëson se z. Alibeaj nuk ka pasur legjitimim procedural në përfaqësimin e ankuesit PDSH në gjykim dhe në paraqitjen dhe nënshkrimin e aktit “Ankim”. Në kushtet kur përfaqësuesi me autorizim z.Enkelejd Alibeaj, ka bërë ankim kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë pas mbarimit të efekteve juridike të autorizimit, ankimi/apeli i paraqitur nga ky përfaqësues konsiderohet si ankim i bërë nga një person që nuk legjitimohet, si përfaqësues pa tagra. Për sa më sipër, Gjykata e apelit vlerëson se ankimi i paraqitur nga përfaqësuesi me autorizim z.Enkelejd Alibeaj nuk plotëson parakushtet formale-procedurale për shqyrtimin e tij, pasi është nënshkruar nga një person që nuk legjitimohet të bëjë ankim dhe si i tillë në bazë të nenit 450/ç të KPC, i ndryshuar, nuk duhet të pranohet. Përsa i përket vendimin nr. 508, datë 22.04.2022 të gjyqtarit të vetëm të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me të cilin është pranuar ankimi objekt i këtij gjykimi. Gjykata e apelit çmon se në momentin që gjyqtari i vetëm ka vendosur “pranimin e ankimit”, gjykata rishikuese e cila ka në kompetencë funksionale që të bëjë shqyrtimin e këtij mjeti ankimi, pra që të vlerësojë shkaqet e parashtruara në mjetin e ankimit (ankim, rekurs, ankim/rekurs i veçantë), nuk është e lidhur detyrimisht me vullnetin e gjyqtarit të vetëm, por ka detyrimin që të vlerësojë në mënyrë të pavarur dhe kryesisht plotësimin e kushteve dhe kritereve formale të mjetit të ankimit (ankim, rekurs, ankim/rekurs i veçantë), sipas nenit 450 të KPC”, thuhet më tej.

Ndërkohë sa i përket rekursit të bërë nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit asokohe, në Gjykatën e Lartë, Apeli sqaron me këtë veprim GJL ka legjitimuar këtë komision si përfaqësuar të PDSH.

“Përsa i përket legjitimimit procedurial të palës kërkuese, Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, si përfaqësues i PDSH-së. Në nenin 442/b KPC është parashikuar kuptimi i rekursit dhe në këtë nen thuhet: “Rekursi është akti me të cilin palët ose pjesëmarrësit e tjerë në proces parashtrojnë kundërshtimet e tyre ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë ose të gjykatës së apelit në Gjykatën e Lartë, sipas rregullave të përcaktuara në këtë Kod”. Gjykata e apelit vlerëson se në kushtet kur Gjykata e Lartë ka marrë në shqyrtim rekursin e Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit duke u shprehur për plotësimin e kushteve formale për paraqitjen e rekursit sipas nenit 474, 475 e 476 të K.Pr.Civile si dhe ekzistencën e shkaqeve ligjore për rekurs sipas nenit 472 të K.Pr.Civile, ka legjitimuar Komisionin e Përkohshëm të Rithemelimit si organ përfaqësues të subjektit juridik PDSH, duke i njohur në këtë mënyrë të drejtën që t’i drejtohet gjykatës së shkallës së parë me kërkesë për rregjistrimin e ndryshimeve statutore, dhe në varësi të vendimarrjes së gjykatave më të ulëta të ushtroj mjetet e ankimit, sikurse rekursi në rastin konkret. Pra kërkesa është paraqitur nga një subjekt i cili gëzon legjitimitet procedural për paraqitjen e kërkesës, si kusht i domosdoshme për të ushtruar të drejtat procedurale në të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor”, thotë Gjykata e Apelit.

Çfarë ndodhi me vulën e PD?

Çështja e vulës së PD u kthye në apel pas një vendimi nga Gjykata e Lartë, ndërsa procesi zvarritej prej rreth dy vitesh e gjysmë. Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e parë, që është dhënë nga një tjetër trupës gjykuese me në krye Agron Zhukrin. Trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Alma Ahmeti, Elona Toro dhe Iliba Bezati vendosën që të mos pranojnë ankimimin e bërë nga Enkelejd Alibeaj, duke ia marrë vulën e partisë më të madhe opozitare në vend Lulzim Bashës dhe ia dorëzuar Sali Berishës. Pas vendimit, Basha mblodhi strukturat dhe premtoi se nuk do ta komentonte vendimin. Nga dita kur u mor vendimit, nga radhët e Bashës kanë ikur disa deputetë si Eralda Bano dhe Kreshnik Çollaku. Ndërkohë Arbi Agalliu dhe Enkelejd Alibeaj janë larguar nga grupi parlamerntar i PD-së në Kuvend, që drejtohet nga Gazment Bardhi, e që tashmë dhe ligjërisht ka për kryetar Sali Berishën. Dy deputetët thanë në reagimin e tyre se nuk ndihen të përfaqësuar nga fryma berishiste./ZËRI

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB