
TIRANË- Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë rënë parimisht dakord këtë të premte sa i përket Votës së Diasporës dhe pse siç pohojnë dhe vetë palët politke ka ende disa ndarësi teknike. Për mediat, pas përfundimit të mbledhjes, deputeti i PS, Damian Gjiknuri u shpreh se forcat politike janë shumë afër arritjes së një marrëveshjeje që do i hapte rrugën, votimit të emigrantëve. Po ashtu në mbledhjen e sotme, palët kanë diskutuar dhe për herësin, një tjetër pikë që i mban larg marrëveshjes. Për këtë, Gjiknuri tha se po diskutohet gjetja e një zgjidhjeje të përbashkët dhe kushtetuese.
Damian Gjiknuri: Përgjithësisht diskutuam disa detaje teknike për të pasur një proces me integritet që lidh personin me adresën ku banon dhe të dhënat në gjendjen civile. Në parim mund të them se mund të jemi shumë afër në realizimin e kësaj gjëje, nga pikëpamja legale, rënies dakord për projektligjin. Këtu kemi futur të gjitha kategoritë që jetojnë për një kohë të caktuar jashtë vendit, ku do të jenë diplomatët apo ushtarakët, apo dhe persona të tjerë që kanë një adresë të caktuar. Çështja e dytë, ajo e herësit, sot dëgjuam një propozim nga ana e opozitës që janë të gatshëm për një komprpomis që iafrohet formulës kushtetuese, pra të një liste që është mikse. Siç e parashikon kushtetueta një pjesë e listës është e mbyllur dhe pjesa tjetër e hapur, pa prag apo pa herës. Është një çështje që duhet ta diskutojmë të shohim sa në përputhje është me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe atë çfarë presin qytetarët shqiptarë. Nuk kemi arritur ende në një dakordësi, jemi duke e diskutuar.
Ndërkohë më herët, duke folur për mediat, deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi u shpreh se palët kanë rënë parimisht dakord, por ndahen tek mënyra se si duhet të zhvillohet vota e diasporës. Bylykbashi tha se opozita kërkon që të mos votojnë vetëm emigrantët që kanë adresë të ligjshme, por të gjithë shqiptarët që kanë emigruar jashtë vendit për arsye të ndryshme. Po ashtu një tjetër pikë që i ndan palët është herësi.
Oerd Bylykbashi: PD dhe opozita kanë bërë propozimin për votën nga jashtë Shqipërisë. Ne u përballën me mazhorancën me këtë draft tonin që është më i gjerë. Të gjithë shtetasit shqiptarë duhet të kenë të drejtën për të votuar nëse ata ndodhen jashtë Shqipërisë. Ata që janë emigrant dhe kanë një adresë, ata që janë për arsye pune, studentët, ushtarakët, të gjithë këta të kenë mundësinë që të regjistrohen pa pengese në KQZ me dokument të qartë që shërben vetëm për ato zgjedhje dhe nuk ka ndikim për aspekte të tjera. Patëm një debat dhe diskutim të gjatë, u lanë detyra të tjera për të qartësuar detajet e fundit. Por gjykoj që do të ecet përpara. Votimi nga jashtë, jo vetëm diaspora, por të gjithë shqiptarët që kanë të drejtën kushtetuese të votojnë. Kemi ecur në diskutime dhe detaje teknike. Ajo që është e rëndësishme është që kjo të jetë e drejtë efektive. Ne u përpoqëm të imponojnë këtë. Nuk mund të ketë dy kategori shqiptarësh, ata që janë regjistruar në mënyrë të ligjshme dhe ata që janë regjistruar në mënyrë të paligjshme, kushdo që është jashtë Shqipërisë dhe ka një dokumentacion dhe adresë që mund të komunikojnë do kenë të drejtën e votës./ZËRI