TIRANË- Nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj i ka bërë thirrje këtë të enjte nga foltorja e Kuvendit, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) që të hetojë grupin e ashtëquajtur nga PD “struktura e mbrojtjes së votës”, pasi sipas saj, PD ka rekrutuar si pjesë të tij kontigjentë kriminal. Për ketë iu referua ngjarjes së rëndë të ndodhur më 21 Prill, të vitit 2021, ku Arbër Papleka, vrau Pjerin Xhuvanin në Elbasan.
Sipas Felajt, deputetët e opozitës duhet të kishin reaguar ndryshe sa i përket vrasjes së policit Novruz Cenalia në Fier, ku autori, Azgan Mernica, ishte fotografuar krah deputetit Luan Baçi dhe ishte pjesë e “Strukturës së mbrojtjes së votës”. Felaj tha se ata që bëjnë pjesë në grupin e krijuar nga PD për mbrojtjen e votës, janë kontigjentë kriminal. Ky reagim erdhi pas një debati që Felaj pati me deputeten demokrate Jorida Tabaku.
Ermonela Felaj: Mua më kanë zhgënjyer kolegë deputetë të opozitës të reagimet e tyre për rastin e ngjarjes së rëndë në Fier. Ka të dhëna nga media, që janë konfirmuar edhe përmes qëndrimeve që kanë mbajtur kolegë deputetë që këta njerëz janë përdorur nga politike në zgjedhjet e 2021. U krijuan të ashtuquajtura struktura të votës për të cilat disa kolegë të opozitës thanë se kemi marrë njerëz profesionistë për të mbrojtur votën. Ngjarja në Elbasan, ngjarja në Fier… Është dhe dikush tjetër që është duke vuajtur dënimin me burg për mbrojtjen e votës në qarkun e Fierit. Kjo tregon se në zgjedhjet e 2021 janë mobilizuar e rekrutuar elementë kontigjentë kriminal. Kjo çështje ka ngelur pa u hetuar sepse me të është marrë prokuroria jo kompetente. Ftoj policinë kriminale, thirrja ime është publike, s’ka nevojë të bëj kallëzim, që t’i rikthehen historisë së krijimit të këtyre strukturave, t’u rikthehen atyre deputetëve që kanë preferuar që të kenë pas vetes kontigjentë kriminalë për të mbledhur votën, sepse janë grupe kriminale dhe këtu do doja të kishte vëmendje dhe SPAK, sepse kjo nuk është lëndë për prokurorinë e Elbasanit, por për BKH dhe SPAK, dhe policinë kriminale. Ti rikthehen analizimit të profileve në rrjete sociale të këtyre personave sepse janë grupe mirëfilli kriminale, struktura kriminale. Falenderoj median dhe e nxis të gërmojë më shumë të dhëna.
E ashtëquajtura “Struktura e mbrotjes së votës”, u lançua nga Partia Demoktratike, para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2021. Kjo strukturë, sipas PD do të mbronte votën e qytetarëve dhe të demokratëve, kundër vjedhjes që po i bëhej nga mazhoranca në pushtet. Fati i kësaj strukture ishte fatal dhe i përgjakshëm, pasi katër ditë para zgjedhjeve të përgjithshme të 25 Prillit 2021, pas një përplasjeje mes dy grupeve në Elbasan, Arbër Papleka vrau me armë zjarri Pjerin Xhuvanin. Sipas Paplekës, Xhuvani së bashku me disa të tjerë po blinin vota për Partinë Socialiste. Arbër Papleka është ende në betejë gjyqësore me drejtësinë, me pretendimin se ka qëlluar për vetëmbrojtje.
Ndërkohë rasti i fundit në Fier, ku Azgan Mernica, vrau efektivin e Policisë së Shtetit Novruz Cenalia, nxorri në pah dhe njëherë, strukturën e krijuar nga PD, pasi siç doli dhe në fotot e publikuara në media, Mernica ishte pjesë e “Strukturës për mbrojtjen e votës” në Fier dhe ishte fotografuar krah deputetit Luan Baçi. Kyu i fundit nuk e mohoi angazhimin e Mernicës në zgjedhjet e vitit 2021, por u justifikua duke thënë se atëherë nuk ishte kriminel./ZËRI