Politikë

Rezoluta anti-korrupsion/ Rama-opozitës: S’është kapje e drejtësisë, të bashkëpunojmë!

Rama tha për gazetarët se kjo nuk bëhet me qëllim për të kapur drejtësinë siç akuzohet nga opozita.

E.K
Rezoluta anti-korrupsion/ Rama-opozitës: S’është kapje e
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka folur këtë të enjte nga Kotorri në Malin e Zi për draft-rezolutën e propozuar nga Partia Socialiste për luftën ndaj korrupsionit. Rama tha për gazetarët se kjo nuk bëhet me qëllim për të kapur drejtësinë siç akuzohet nga opozita. Ai tha se PS dhe qeveria e tij i kanë dhënë mbështetje pa kushte SPAK për të vepruar. Rama ka kërkuar nga opozita që të krijohet ‘’një hapësirë, një zonë e ndaluar për sherret që të mund të vazhdojnë në hapësirat e tjera dhe aty të flitet me gjuhën e ekspertizës dhe jo me gjuhën e shthurur të politikës të ditës’’.

Edi Rama: Nuk jam në dijeni, se është depozituar draft rezoluta në parlament, do të ketë procesin e saj, njësoj si kemi bërë me reformën në drejtësi, do ta bëjmë në të gjitha rastet pjesën tonë. Për çështje të caktuara kërkohet një konsensus edhe më i gjerë. Edhe sepse në fund të ditës, të gjitha partitë nuk e diskutojnë që destinacioni është BE. Të krijohet një hapësirë, një zonë e ndaluar për sherret që të mund të vazhdojnë në hapësirat e tjera dhe aty të flitet me gjuhën e ekspertizës dhe jo me gjuhën e shthurur të politikës të ditës. Ky është muhabet kot. Në rast se do imagjinohej diçka e tillë do duhej të kalonte përmes ndryshimeve kushtetuese. Si mundem unë të kem një synim të tillë kur isha unë me PS që i dhamë jetë SPAK dhe i japim sot mbështetjen pa kushte dhe deri më sot nuk e di të kemi hap ndonjëherë gojën për të komentuar veprimtarinë e SPAK.

Nisma u propozua disa ditë më parë nga Kryeministri Edi Rama gjatë një mbledhjeje të përbashkët mes grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar. Drafti propozon ngritjen e një Komisionin të Posaçëm Parlamentar, i cili do të adresojë ndërmarrjen e reformave që synojnë mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian. Kështu do të rritet dhe llogaridhënia e institucioneve përballë Kuvendit të Shqipërisë. Ngritja e Komisionit të Posaçëm synon të rrisë “presionin” monitorues ndaj ekzekutivit, dhe institucioneve të tjera, duke i dhënë Kuvendit rolin, ku institucionet e tjera, përfshirë dhe ato të drejtësisë të japin llogari, për ecurinë e punës dhe luftës ndaj korrupsionit. Draft-rezoluta sipas PS, do të veprojë brenda kuadrit ligjor dhe Kushtetuese. Kjo sipas propozimit të PS ka si qëllim afrimin e vendit me Bashkimit Europian, e cila sipas PS, arrihet vetëm duke funksionuar shteti ligjor dhe llogaridhënia./ZËRI

Poll

MOS HUMB