Politikë

Shembja së pronave publike për interesa private/ Shalsi: Kemi pasur kërkesa. Çupi: SPAK, hetoje!

Edhe pse Jorida Tabaku i kërkoi disa raste, Shalsi dha vetëm një, në zonën e 3 urave në Divjakë, ku mund të ndërtohej një tharëse gruri.

k.m.
Shembja së pronave publike për interesa private/ Shalsi: Kemi pasur
Dhurata Çupi dhe Eduard Shalsi

TIRANË- Projektligji, me të cilin socialistët i hapin rrugë shembjes së pronave publike për interesa private ka ngjallur debate në seancën e sotme plenare. I pari që mori fjalën ishte kreu i Komisionit të Ligjeve, Eduard Shalsi, i cili sqaroi se kishte marrë shumë ankesa nga koelgët e tij për ndërtesa publike të amortizuara që pengojnë investimet. Por edhe pse Jorida Tabaku i kërkoi disa raste, Shalsi dha vetëm një, në zonën e 3 urave në Divjakë, ku mund të ndërtohej një tharëse gruri. Tha se kishte edhe të tjera, por nuk shtoi asnjë tjetër. Ndërsa në fjalën e saj, deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi theksoi në fjalën e saj se ky ligj ka interesa për të ashtuquajturit "oligarkë" duke kërkuar nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që të nisë hetimet për të zbuluar se kush ka lobuar për të kaluar këtë ligj në Kuvendin e Shqipërisë. 

DEBATI I PLOTË NË SALLË:

Shalsi: Një pronë ia vlen ta mbash me qera, apo ia vlen që t'i akomodojmë duke blerë. Efekti i shpronësimit nuk mund të akomodohet në raste të tilla. Peshën e argumentave është e vështirë që ta mbash. Mendoj që kishte ardhur koha për një ndryshim të tillë. Nga ky moment, ne këto kohë kemi folur për një proces shumë të veçantë, monitorimin e ligjeve pasi miratohen, hajde ta bëjmë pjesë këtë ndryshim që ta monitorojmë edhe më vonë. Mund të provojmë dhe këtu është çështje vullneti. Le ta fillojmë menjëherë që njëherë në dy muaj ta ndjekim çfarë po ndodh me këtë akt. Me ju ose pa ju ne e kemi marrë vendimin që këtë ndryshim ligjor ta bëjmë. E kemi për detyrë! E kuptova që iu ka shqetësuar prishja e objekteve. Në momentin që një pronë është procesin e privatizimit ka disa objekte të amotizuara. Deri tani janë prishur si janë prishur. Po synojmë që kur jepet leje zhvillimore, mbi një territor që ka objekte, po kërkojmë që këto objekte të rivlerësohen, të prishen nga zhvilluesi i projektit dhe të kompensohen me vlerë financiare. Çfarë nuk kemi vënë ne? Po ta shpjegoj me shumë durim. Një pronë shtetërore që e ka humbur dobinë e saj, është marrë vendimi për t'u privatizuar, pasi është lidhur kontrata dhe investitori do bëjë investimi, duhen prishur objektet. Por në bazën e një akti. Kështu kompletojmë procesin dhe i japim zgjidhje një problemi që kurrë nuk ka marrë përgjigje.

Dhurata Çupi: Po i detyroni deputetët që të votojnë një ligj korruptiv. Insistoj që ta tërhiqni këtë projektligj. Ky ligj nuk bëhet siç e propozoni sot. Ju po i bëni rrush e kumbulla pronat shtetorë. Cilat janë rastet që iu kanë kërkuar që të ndryshohet akti? E keni shembullin e Teatrit Kombëtar. Ç'punë ka akti normativ për të dhënë leje për shembjen e pasurisë? Jepet leje nga urbanistika e Bashkisë, ky është një skandal i jashtëzakonshëm. Kjo është objekt për të hetuar SPAK. Hajde legjitimojmë shembjen e pronave shtetërore. Pse nuk ia jepni ish-pronarëve? Pse ia jepni klientëve tuaja? Nuk ka lidhje me privatizimin, po fare. E para është skandal kjo që ju propozoni për të ndryshuar ministrinë e linjës, ky është korrupsion i hapur. Është një nga ligjet më korruptive, shfytëzoj rastin që t'i bëjë thirrje SPAK që të hetojnë lobimin që është bërë për të hetuar këtë ligj. I kërkoj SPAK-ut që të merret me këtë ligj.

Jorida Tabaku: Zoti Shalsi kam 3 pyetje; a ndryshohet një akt normativ?; sot në podium keni përmendur një listë rastesh, ka shumë kërkesa thoni ju, kush janë këto raste që të informohet edhe publiku?; projektligji nisi me një nen për të kaluar kompetenca nga Ministria e Financave tek Ekonomia, nuk kam asgjë kundër me këtë sepse është çështje politikash, por propozimi juaj i parë ligjor ka shkuar për mendim tek qeveria dhe është kthyer përgjigje vetëm për këtë, për 2 të tjerat nuk ka përgjigje nga qeveria dhe nuk ka diskutim konstruktiv për këtë problematika. Si mund të ndodhë? Kush janë rastet specifike?

Shalsi: Kush janë problemet? Zoti Braçe psh ka qenë në zyrë dhe 3 urat ishin disa objekte të një ndërmarrje, propozimi ishte për një tharëse gruri që do i shërbente komunitetit. Do shërbente nëse do të prishej ajo karakatinë. Ky është vetëm një rast. Shoh 2-3 deputetë që kanë pasur raste konkrete. Unë të kam parë ty të votosh për ndryshimin e akteve normative, psh bonot. Mund të të jap shembuj të tjerë. Prapë nuk e ke kuptuar që po flasim për proces privatizimi. Lidhet kontratë për atë që ka marrë përsipër të investojë. Lidhet marrëveshja, dhe i jepet leja zhvillimore. Ka nevojë për një akt prishjeje. E kam shumë të vështirë të shpjegoj aktin e shembjes. Nëse pyesni për një gjë kaq të pastër, më vjen të qesh.

Çupi: Qeshni sepse e keni siguruar aferën korruptive të radhës. Ekspertët ulën kokën. Kjo është përgjigja më e mirë që mund të marrësh sot.

Çfarë parashikon ky projektligj që po diskutohet? 

Debati po bëhet për një akt me titull “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetëtore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta…,” synonte kalimin e funksionit nga Ministria e Financave tek ministria përgjegjëse për Ekonominë. Por akti kishte disa propozime të tjera. Gjatë diskutimit në komision, deputetët e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti dhe Alban Xhelilaj bënë propozime të reja, që prona shtetërore mund të shkëmbehet me pasuri private nga ministritë, institucionet e tjera qendrore, në varësi të Kryeministrit dhe të ministrive, organet e vetëqeverisjes vendore si dhe ndërmarrjet ose shoqëritë tregtare shtetërore. Por edhe që objektet shtetërore të shemben në troje ku janë dhënë leje zhvillimi. Edhe në Komision, opozita e lidhi projektligjin me interesa të ngushta korruptive në dëm të interesin publik. Deputeti Dashamir Shehi akuzoi se pas propozimeve fshiheshin interesa konkrete të ‘oligarkëve” që lidhen me privatizimin e porteve apo pronave të ushtrisë që po kërkohen për investime turistike, por edhe deputeti socialist, Erion Braçe ishte kundër. Ky i fundit tha se ndryshimet duhet të propozoheshin nga qeveria dhe jo nga kolegët e tij. Pavarësisht kundërshtimeve, ky ligj po diskutohet sot në Kuvend dhe pritet që të votohet./ZËRI

Poll

MOS HUMB