
TIRANË- Zgjedhjet parlamentare më 11 maj do të gjejnë 3036 votues në qeli. Deri më tani, disa burgje kanë bërë kërkesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ngritjen e qendrave të votimit, duke hapur sërish debatin se kush duhet të lejohet të votojë nga izolimi. Historikisht, pavarësisht burgut ku ndodhen, të burgosurit kanë votuar për qarkun ku ndodhej burgu i tyre.
Nëse një votues nga Vlora, është në burgun 313 të Tiranës, do të votojë për qarkun Tiranë, edhe pse është nga një qark tjetër. Kjo mënyrë ishte zbatuar prej vitesh, por në vitin 2023, ku Partia Socialiste fitoi bashkinë e Rrogozhinës, nisi debati mes partive politike. Kjo, pasi PS e përmbysi rezultatin përmes votave të të burgosurve të këtij qyteti.
Kolegji Zgjedhor zbuloi se shumë votues nga burgu, nuk ishin banorë të Rrogozhinës, dhe pasi të dilnin, ata nuk do të kishin asnjë lidhje me këtë bashki. Nisur nga ky rast, kolegji, urdhëroi përsëritjen e zgjedhjeve në Rrogozhinë, si dhe përcaktoi se pavarësisht nëse vendqëndrimi i një votuesi është në burg të caktuar, ai nuk mund të votojë për atë bashki apo qark, në rast se në jetën e tij në liri nuk është banor i asaj njësi zgjedhore.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ja ka dalë në Komisionin Rregullator që ta sanksionojë këtë vendim të gjykatës, çka do të sillte që shumë të burgosur të humbisnin të drejtën e votës më 11 maj, vetëm se janë zhvendosur në qeli jashtë qarkut të tyre të banimit.
Po ashtu, opozita i kërkoi KQZ që kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj, të mos mos lejohet të votojë në Qarkun Durrës, edhe pse emri i tij figuron tashmë si pjesë e listës së zgjedhësve të atij qytetit.
Franc Nuri, PD: Veliaj të mos votojë në Durrës, Kolegji zgjedhor ka vendosur që në zonën zgjedhore do të votojnë vetëm ata që janë vendbanues jo vendqëndrues.
Elena Xhina, PS: Të miratohet akti rregullator, është procedurë standarde
Ilirjan Celibashi: Nuk e kemi tagrin, por do t'ua adresojmë organeve kompetente. Na duhet një zgjidhje e qartë për këtë.
Ndërsa, mësohet se 1357 të tjerë, që janë të burgosur, nuk do të lejohen të votojnë, për shkak të ligjit të dekriminalizimit sepse kanë kryer disa vepra të cilat ta mohojnë të drejtën për të zgjedhur. /ZËRI