
TIRANË- Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka garantuar se vota e emigrantëve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 nuk do të dështojë. Në konferencën e mbajtur sot përballë gazetarëve, Celibashi tha se KQZ do të marrë të gjitha masat, do të studiojë gjetjen e një poste që të mund ta finalizojë më shpejt procesin e votimit për Diasporën, por që do të rrisë kostot. Deri më tani, sipas Celibashit, është përllogaritur që kostoja vetëm për dërgimin e fletës së votës së Diasporës, do të kushtojë 40 milion euro.
“Jemi drejt finalizimit të procedurave që lidhen me përdorimin e platformës, për blerjen e platformës për regjistrimin e votuesve nga jashtë. Në javën që vjen ky proces do jetë i finalizuar dhe do të merremi me aspektin teknik të ndërtimit të kësaj platforme. Do evidentojmë dokumentacionin dhe modelet zgjedhor që do përdoren për votimin nga jashtë. Po ndërtojmë fillimisht në letër gjithë infrastrukturën logjistike. Brenda 1 jave dhe ky akt do jetë në fuqi, besoj se edhe Komisioni Rregullator do e miratojë. Sipas dispozitave aktuale, procesi i regjistrimit të kandidatëve dhe partive përfundon 30 ditë para datës së zgjedhjeve. Teorikisht ekziston mundësia që ky proces për shkak të ankimeve të përfundojë 30 ditë para ditës së zgjedhjeve. Ne listën e kandidatëve e konsiderojmë që e kemi edhe 30 ditë para datës së zgjedhjeve. Nga operatorët e shërbimit postar, është fakt, ne do duam të kemi 40 ditë në dispozicion. Kanë qenë tre operatorë, dy prej tyre emra të njohur, që kanë thënë të njëjtën gjë. Procesi i printimit të fletëve do e marrë një ditë, dy ditë, duke angazhuar të gjithë resurset dhe duke i shtuar. Humbasim edhe dy ditë apo tre ditë, votuesi jashtë i ka edhe dy apo tre ditë. Për shërbimin postar mbetet diku tek 15 ditë. Ka shërbime postare që e sjellin edhe për dy ose tre ditë, por a i kemi mundësitë që të paguajmë 200-300 euro për çdo votues. Me siguri 100% do ia dalim të ndërtojmë platformën elektronike të votimit. Ka zero rrezik, nuk po shkon drejt dështimit. Me siguri do ketë një zgjidhje, kemi mundësi të paguajmë më shumë para do zgjedhim këtë alternativë, ka një alternativë për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, do duhet ndryshuar Kodi Zgjedhor. Duhet të ulemi me maturi, ne jemi seriozë,”- tha Celibashi.
Kryekomisioneri u ndal edhe tek votimi elektronik dhe tha se shumë prej partive politike kanë kërkuar që të zhvillohet në Tiranë, ndërsa vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka propozuar Durrësin dhe Elbasanin.
“Propozuam qarkun e Elbasanit dhe Durrësit për votimin elektronik duke konsideruar që Elbasani ka një eksperiencë dhe Durrësi është mjaft afër me Tiranën dhe i krijon KQZ-së mundësi më të mirë për ta administruar. Partitë, të gjitha pa përjashtim rekomandojnë të shtohet Tirana. Thuajse të gjitha, përjashto Partinë Demokratike që nuk konsideron dhe propozon asnjë njësi ku mund të zhvillohet votimi elektronik. Por, duhet të themi që është e pamundur të bëhen tre qarqe. Kemi arsyetuar që o do zgjedhim dy qarqe me madhësinë e Tiranës, ose do duhet të zgjedhim vetëm Tiranën. I kemi marrë me seriozitet të gjitha komentet e PD në lidhje me votimin elektronik. Qëndron një prej atyre pretendimeve, që ka të bëjë me sjelljen e disa operatorëve në qendrat e votimit. Jemi në proces hetimi administrative që do të finalizohet javës tjetër. Megjithatë, kush do, mund të vijë të bëjë dhe verifikimet për pajisjet, por garantojmë se pajisjet e votimit elektronik janë 100% të sigurta dhe ofrojnë të gjitha garancitë për fshehtësinë e votës. Kuvendit ia kemi bërë me dije se kemi kërkuar buxhet potencialisht nëse do ecim me votimin elektronik vetëm për qarkun e Tiranës, që potencialisht përfshin edhe dy qarqet e tjera nëse do e shtrojmë edhe atje si process. Bëhet fjalë…shkon tek një vlerë rreth 18.2 milion euro,”- shtoi Celibashi.
Të hënën KQZ do të ulet në tryezë me Presidentin Bajram Begaj për datën e zgjedhjeve parlamentare që pritet të mbahen pranverën e ardhshme. Përsa i përket kësaj çështjeje, Celibashi tha se sa më shumë kohë të ketë KQZ në dispozicion, aq më mirë do të ishte.
“Kemi marrë ftesë nga Presidenti për konsultim për caktimin e datës. Natyrisht sa më shumë kohë të kemi në dispozicion, aq më mirë do ishte dhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Por, gjithasesi, është një çështje që i takon zotit President, çdo datë që të vendoset, do të na duhet që të punojmë për realizimin e zgjedhjeve, pikërisht në atë datë,”- u shpreh ai më tej.