
TIRANË- Vota e emigrantëve është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes. Këtë të martë përfaqësues të politikës, institutit të studimeve politike dhe Kryekomisioneri i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi diskutuan rreth garantimit të votës për diasporën shqiptare
Sipas Ilirjan Celibashit, vota e diasporës mbetet peng i boshllëqeve ligjore dhe vullnetit politik. Sipas tij duhet të plotësohet boshllëku ligjor, që Gjykata Kushtetuese ka vënë në dukje, ndërsa shton se duhet dhe vullneti politik i palëve në Kuvendin e Shqipërisë.
Ilirjan Celibashi: Nëse nuk do të plotësohet boshllëku ligjor i konstatuar nga Gjykata Kushtetuese, në zgjedhjet e vitit 2025 nuk do të ketë votim nga jashtë. Nëse bëhet më vonë, për shembull 6 muaj para zgjedhjeve, KQZ nuk ka kohë që ta implementojë.
Për deputetët e opozitës dhe maxhorancës, të cilët ishin të pranishëm në këtë takim duhet që të ketë një konsesus në Komisionin e Reformës Zgjedhore në Kuvend, duke shtuar se kjo zgjidhet vetëm me vullnet politk.
Deputeja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku e cilësoi të rëndësishme dhënien e të drejtës së votës për emigrantët dhe tha se kjo duhet të ishte beteja e opozitës
Jorida Tabaku: Nuk i falet opozitës që nuk e ka çuar përpara këtë gjë, pasi mazhorancës mund të mos i interesojë vota e tyre, pasi nëse këta shqiptarë kanë ikur ata kanë ikur dhe për shkak të keqqeverisjes.
Ndërsa për socialistin Lavdrim Krrashi kjo është një e drejtë që duhet ta kishte me kohë çdo shqiptar jashtë vendit. Krrashi shtoi se kjo është dhe një çështje personale për të, si një ish-emigrant.
Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi deklaroi se tani është koha për veprim
Oerd Bylykbashi: Tani është koha të veprojmë sa më shpejt.
Sipas drejtorit të ISP-së, Krasniqi, qëllimi i tryezës ishte të debatohej në nivel politik të vendimmarrjes dhe angazhimit, shkruan Reporter.
E drejta e votës për diasporën garantohet si detyrim në disa dokumente strategjike të miratuara nga qeveria dhe Kuvendi, dhe është pjesë e dokumenteve kryesore të Bashkimit Europian për Shqipërinë, tha ai, duke ngritur pikpyetje mbi përgjegjësinë politike për realizimin e reformës zgjedhore./Zëri.ai