
TIRANË- Ambasadori i Serbisë, Slobodan Vukçeviç është thirrur për sqarim në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. I dërguari serb në Shqipëri është kërkuar nga kryediplomati Igli Hasani për ti kërkuar sqarime në lidhje me deklaratat që zëvendëskryeministri Aleksandër Vulin ka bërë lidhur me vizitën e kryeministrit Edi Rama në Greqi. Takimin e Ramës me emigrantët, Vulin e pa si një cënim, duke bërë një deklaratë të fortë me thirrje nacionalist.
“Shqipëria e madhe mund të ndalet vetëm nga serbët dhe bota serbe. Herën tjetër që qeveria e Greqisë të mendojë për njohjen e të ashtuquajturës Kosovë (kështu i referohen serbët Republikës së Kosovës), le të kujtojë se si duket pritja e Edi Ramës në mes të Athinës. Atë që Rama nuk mundi ta përjetonte në Tiranë, e përjetoi në Athinë,”- deklaroi Vulin më 13 maj 2024.
Pas takimit, MEPJ nuk ka bërë me dije detaje, por ka theksuar se këto deklarata që nxisin nacionalizëm nuk i shërbejnë paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit.
NJOFTIMI I MINISTRISË:
MEPJ thërret Ambasadorin serb, kërkohen sqarime për deklaratat e zv. Kryeministrit, Aleksandër Vulin. Ambasadori i Serbisë, Slobodan Vukčević është thirrur dje në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku iu kërkuan sqarime në lidhje me deklaratat që zv. Kryeministri Vulin ka bërë, referuar vizitës dhe takimit të Kryeministrit Rama me diasporën shqiptare në Greqi. Deklarata provokuese e zyrtarit serb është në kundërshtim me frymën e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në vendet e Ballkanit. Shqipëria është faktor i rëndësishëm që punon dhe kontribuon për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë dhe kjo është në thelb të bashkëpunimit edhe me Serbinë. MEPJ pret reflektim të menjëhershëm, në mënyrë që deklarata të tilla të dëmshme, të përsëritura të mos ndikojnë në marrëdhëniet tona, të cilat duhet të jenë të orientuara drejt fqinjësisë së mirë dhe integrimit evropian./ZËRI