
TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi e ka cilësuar si tradhti kombëtare, vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me marrëveshjen me Italinë për emigrantët. Në një deklaratë për mediat, ai shtoi se marrëveshja përfshin Shqipërinë në hartën e vendeve që cënon të drejtat e qytetarëve. Bardhi ndër të tjera paralajmëroi se aksioni i opozitës në Parlament do të vijojë.
“Dua të bëj një koment vendimit të GJK lidhur m marrëveshjen për emigrantët. Duke shprehur keqardhjen e thellë që GJK nuk u ngrit në interesin publik, dua ta konsideroj si një akt të tradhtisë kombëtare. Çështja rrezikon sigurinë publike dhe e përfshin Shqipërinë në hartën e cenimit të të drejtave të njeriut, vendimi ishte një goditje në raport me respektin dhe garancitë që ky institucion duhet të japë. Dua të rikonfirmoj vendimin e sotëm për të vijuar aksionin në parlament deri në përmbushjen e kërkesave legjitime. Ngritjen e komisioneve dhe për të çuar përpara reformën zgjedhore me një komision që legjitimon opozitën”, tha Bardhi.
Sa i takon Amnistisë Penale nesër në seancë parlamentare ai deklaroi se nuk do të votojnë.
"Amnistia është kthyer në një akt jo transparent. Në një akt ku secili në mënyrë të fshehtë shton dhe heq sipas interesi të tij dhe ju e dini që prej muajsh jemi në një aksion brenda kuvendit dhe ky aksion do të vijojë. Në parim amnistia është një akt humanizmi i deputetëve dhe do duhet të qëndrojë larg sherrnajës mazhoranca – opozitë. Ka qenë gjithmonë një akt konsesual, por në këtë rast nuk kas pasur asnjë procedurë për konsesualitetin. Në këtë temë duhet të hedh poshtë disa lajme, sikur kolegë brenda Grupit Parlamentar PD kanë kërkuar shfuqizim e nenit 5 pika 2, që lidhet me vendimet e gjykatës kundër korrupsionit, e vërteta është që ky është një propozim i Plarent Ndrecës,”-shtoi ai.
Bardhi gjithashtu tha se është e paprecedentë që deputetët po tentojnë të krijojnë një nënkomision që të auditojnë çështje konkrete brenda KLSH apo të ndërhyjnë në këtë institucion.
"Shqetësim për një tentativë të mazhorancës për krijimin e një nënkomisioni për auditim kombëtar që synon të marrë nën kontroll KLSH. Mazhorancë të heqë dorë nga kontrolli ndaj institucioneve. KLSH raporton në Kuvend por e paprecedentë që deputetët me nënkomision të auditojnë cështje konkrete brenda KLSH apo të ndërhyjnë në këtë institucion", tha Bardhi.