Politikë

Veliaj 8 orë në SPAK: E kërkova vetë! Dumani për BIRN: I është dërguar fletë-thirrje javën e kaluar

Kreu i SPAK, Altin Dumani dha një version tjetër të paraqitjes së Veliajt në Prokurorinë e Posaçme.

f.t
Veliaj 8 orë në SPAK: E kërkova vetë! Dumani për BIRN:
Erjon Veliaj dhe Altin Dumani

TIRANË-Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u pyet të martën për gati 7 orë për aferën e inceneratorit të Tiranës nga hetuesit e Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, SPAK. Rreth orës 09:00 të mëngjesit, Veliaj u paraqit në ambjentet e SPAK me një dosje në dorë dhe kur doli pas dëshmisë, deklaroi para gazetarëve se kishte shkuar si ‘bashkëpunëtor', pasi kishte kohë që e kishte kërkuar vetë një takim.

"Falenderoj kolegët e SPAK, ma ka rritur bindjen që është krijuar një institucion serioz në Shqipëri. Është një institucion me të cilin unë nuk kisha bëja më herët. Isha këtu si bashkëpunëtor. Patëm një ezaurim total të çështjes së inceneratorëve, dhashë të gjitha shpjegimet e nevojshme pasi kisha kohë që kërkoja një takim. Ezauruam çështjen e inceneratorëve,"-u shpreh Veliaj.

Ndërkohë i pyetur nga BIRN mbi cilësinë e marrjes në pyetje, kreu i SPAK, Altin Dumani dha një version tjetër të paraqitjes së Veliajt në Prokurorinë e Posaçme.

“I është dërguar fletë-thirrje të mërkurën e javës së kaluar për t'u pyetur në cilësinë e deklaruesit si person që ka dijeni mbi rrethanat e çështjes së inceneratorit të Tiranës,” tha Dumani.

Në lidhje me hetimet e inceneratorit të Tiranës ndodhen në burg Alqi Bllako, Taulant Tusha, Namik Simirxhiu, Bledar Karoli dhe Lefter Koka. Ndërsa në 'arrest shtëpie' janë 7 të tjerë. Në kërkim janë biznesmenët pronar të "Integrated Energy”, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Operacioni i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nisi mbrëmjen e 8 dhjetorit ku u lëshuan 15 urdhër-arreste.

Për Veliajn kjo është hera e parë që merret në pyetje nga SPAK. Ka qenë prokurori Dritan Prençi, ai që ka kërkuar marrjen në pyetje të tij. Për inceneratorin e Tiranës ndodhen në burg Alqi Bllako, Taulant Tusha, Namik Simirxhiu, Bledar Karoli dhe Lefter Koka. Ndërsa në 'arrest shtëpie' janë 7 të tjerë. Në kërkim janë biznesmenët pronar të "Integrated Energy”, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri./ZËRI

Poll

MOS HUMB