
TIRANË- Pas një pushimi të gjatë, deputetët janë mbledhur sërish në Komisionin Hetimor për rrjedhjen e të dhënave të TIMS. Që me nisjen e takimit, pati një përplasje tjetër mes Ervin Salianjit dhe Toni Gogu. Ky i fundit kërkoi edhe njëherë mbylljen e dyerve për vazhdimin e Komisionit, ndërsa Salianji kërkon që ministri i Brendshëm, Taulant Balla të futet njëherë në sallë dhe më pas të votohet rendi i ditës. Më pas, Blerina Gjylameti zbuloi se gjatë pushimit Salianji ishte takuar edhe vetëm me Ballën.
"E takuat, folët madje dhe e patë. Aty në korridor është që në orën 5 pa 10. Jemi ligjvënës, nuk e cënojmë dot ligjin,"-shtoi Gjylameti.
PJESË NGA DEBATI:
Salianji: Ti ngre dorën si të gjithë të tjerët dhe pasi të kem përfunduar unë dhe të them zoti Gogu merr fjalën, atëherë e merr. Po iu them ju e keni këtë situatë kujt t'ja ngecni por hajde diskutojmë.
Gogu: I nderuar zoti Salianji, të shkelësh ligjin me këtë lloj guximi dhe krenari, ti qofsh. Të fyesh kolegët ti qofsh. Zonja ka 2 orë që pret fjalën. Kërkesa jonë por rrënjoset në tavolinën tuaj. Vendos Komisioni dhe jo kryetari kur mbyllen dyert. Hidhni për votim kërkesën tonë.
Salianji: O zot na ruaj nga mend, amen! Në asnjë rast të vetëm nuk i drejtohet askush Këshillit të Legjislacionit. Të nderuar qytetarë ka një përpjekje për të mbuluar paligjshmërinë që është deri në fyt. Në orën 5 duhet të ishte ministri i brendshëm këtu. Nuk kemi protokolluar një kërkesë në kohën e duhur për të marrë masat për këtë gjë. Çfarë mbledhje kërkoni të bëni kur nuk keni certifikatë sigurie? Doni të bëni cirk ju? I lutem sekretarisë që të mbahet në procesverbal se këta i përdorin, vendimi i datës 5 përcakton rendin e ditës, nëse ka kërkesë për të ndryshuar rendin e ditës... *Gogu i afron kërkesën. Po fshij fytyrën me atë. Të vijë ministri i Brendshëm. Nëse nuk vjen e ndryshojmë rendin e ditës./ZËRI