Politikë

Ulja e çmimeve ‘Roaming’, Rama: Marrëveshja historike u firmos në Tiranë

Duke nisur nga ky tetor, kufiri i çmimit për 1 GB Roaming në kuadër të ofertave dhe paketave speciale, nuk duhet t’i kalojë 18 euro, duke e bërë kështu udhëtimin dhe komunikimin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor më ekonomik.

E.K
Ulja e çmimeve ‘Roaming’, Rama: Marrëveshja historike u
Pamje nga samiti qe u mbajt ne Tirane

TIRANË- Që nga data 1 Tetor e këtij viti, çmimet e “Internetit Roaming” mes Europës dhe Ballkanit Perëndimor janë ulur mesatarisht deri në 99%. Në lidhje me këtë zhvillim pozitiv për të gjithë qytetarët e vendeve ballkanike, ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama, i cili thotë se është konkretizuar marrëveshja e firmosur në samitin historik të Dhjetorit në Tiranë mes liderëve të Europës dhe Ballkanit Perëndimor.

“Mirëmëngjes dhe me lajmin e mirë se prej 1 Tetorit, çmimet e “Internetit Roaming” mes Europës dhe Ballkanit Perëndimor janë ulur mesatarisht deri 99%, të konkretizuar pas firmosjes së marrëveshjes në samitin historik të Dhjetorit në Tiranë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kryeministri Rama në Facebook.

Në marrëveshjen e nënshkruar Dhjetorin e kaluar në Tiranë, thuhet se kufiri i çmimit për 1 GB Roaming në kuadër të ofertave dhe paketave speciale, nuk duhet t’i kalojë 18 euro

Çfarë sjell ulja e tarifave roaming

Në fillim të këtij muaji, hyri në fuqi marrëveshja mes 38 operatorëve telefonikë të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian që do të mundësojë një ulje të ndjeshme të tarifave të internetit në roaming.

Kjo do tu mundësojë përdoruesve të telefonisë celulare nga Shqipëria çmime më të ulëta të përdorimit të internetit gjatë kohës kur ndodhen në vendet e Bashkimit Europian, si edhe, anasjellas, edhe turistëve të huaj të përdorin internetin me çmime më të lira në Shqipëri. Nga dy operatorët e telefonisë celulare në Shqipëri, vetëm One Albania është bërë pjesë e marrëveshjes.

Sipas informacionit të publikuar nga kompania, që prej datës 1 tetor është aplikuar një ulje e ndjeshme e çmimeve të internetit. Konkretisht, One Albania ka ulur tarifën e internetit në roaming në Zonën 1 (ku përfshihen shumica e operatorëve nga vendet e BE-së), nga 60 Lekë/MB (megabajt) ne 2.4 Lekë/MB për abonentët me Parapagesë, nga 50 Lekë/MB në 2.4 Lekë/MB për abonentët me Kontratë Individuale dhe nga 40 Lekë/MB ne 2.4 Lekë/MB për abonentët me Kontratë Biznesi. Kjo do të jetë tarifa e re standarde, në rastin kur abonentët nuk kanë paketa roaming aktive.

Tarifat e reja të internetit prekin më shumë se 1.4 milionë abonentë aktivë të One Albania (sipas shifrave të tremujorit II 2023), që do të përdorin internetin me çmime më të ulëta, në rast se përdorin numrin e tyre cellular në vendet e BE-së.

Grupi Vodafone, duke përfshirë edhe kompaninë shqiptare Vodafone Albania, nuk është bërë pjesë e marrëveshjes dhe ka preferuar të ruajë të drejtën për të ofruar tarifa preferenciale në roaming sidomos brenda rrjetit të gjerë të operatorëve Vodafone në Europë.

Megjithatë, përdoruesit e telefonisë celulare të të dyja kompanive celulare shqiptare kanë paralelisht në dispozicion paketa komunikimi në roaming, me kosto edhe më të ulët, kundrejt një çmimi fiks./Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB