Politikë

U pajtuan? Sherri në Kuvend mes Nallbatit dhe Sinajt, SPAK kërkesë për pushimin e çështjes

Prokuroria e Posaçma ka kërkuar pushimin e çështjes.

F.I
U pajtuan? Sherri në Kuvend mes Nallbatit dhe Sinajt, SPAK
PAMJE NGA NGJARJA

TIRANË-SPAK ka kërkuar pushimin e çështjes të goditjes së Bledion Nallbatit ndaj deputetit socialist Vullnet Sinaj. Ka pasur kallezim edhe nga Çuçi edhe nga grupi i PD për "goditje për shkak të detyrës", por Prokuroria e Posaçma ka kërkuar pushimin e çështjes. Në dokumentin zyrtar thuhet se referuar hetimit, informacionet e referuara për kryerjen e kësaj vepre penale nuk bazohen në fakte dhe prova.

“Nuk ekziston asnjë element me vlerë provuese që të provojë ekzistencën e veprës penale”, thuhet në dokument.

Deputeti socialist ka dëshmuar se Bledjon Nallbati e ka shtyrë, dhe më pas sipas tij, ai e ka goditur më grusht.

“Gjatë fjalës time pata ndërhyrje për të mos më lënë të flisja. Këto që them mendoj që janë të qarta në pamjet filmike. Dhe papritur më afrohet kolegu Bledjon Nallbati, por që unë nuk e mendoja që do të bënte atë veprim dhe deshi të më merrte kartën duke e hequr atë dhe më ndërpreu fjalën. Instikisht për të mbrojtur kartën e kapa nga dora për t’i marrë kartën. Pastaj unë e kam lëshuar ai më shtyu edhe gati u rrëzova. U ngrita në këmbë për t’u vetëmbrojtur duke u ruajtur vetë dhe në atë kohë ai ka qëlluar me grusht, por unë grushtin e kam kapur me dorën e majtë dhe në atë moment pastaj ndërhyri garda dhe kolegët”, ka rrëfyer Sinaj.

Nga ana tjetër, deputeti demokrat është shprehur se në këndvështrimin e tij situatën nuk e ka parë si dhunë, por si një lloj konfrontimi fizik.

“Unë i jam afruar zotit Sinaj për ti ndërprerë fjalën duke i hequr kartën nga mikrofoni, pa e prekur atë. Ai ka reaguar duke u ngritur dhe duke më prekur duart dhe ky ka qenë momenti kur jemi shtyrë me njëri tjetrin. Në gjykimin tim ky është një lloj konfrontimi fizik por unë nuk e kam parë si dhunë, ndërsa grupi parlamentar e ka gjykuar si të tillë”, ka dëshmuar ai.

Përplasja fizike mes deputetit Nallbati dhe Sinajt, ndodhi gjatë seancës plenare të 30 tetorit 2023, teksa opozita po përpiqej të bllokonte punimet e parlamentit. Teksa Sinaj ishte duke folur deputeti Nallbati që ndodhej aty pranë shkoi dhe i fiku mikrofonin. Incidenti bëri që dy deputetët të përfshiheshin në përplasje fizike. Ishte garda dhe kolegët e tjerë të parlamentit ata të cilët qetësuan situatën dhe ndaluan përshkallëzimin e konfliktit. Pas përleshjes deputeti demokrat, Bledion Nallbati u përjashtua nga seanca plenare./ZËRI

Poll

MOS HUMB