
TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj ka theksuar edhe njëherë se e ka falur kolegun demokrat, Bledion Nallbati, por shtoi se do të respektonte çdo vendim të grupit parlamentar. Në një prononcim të shkurtër për mediat, Sinaj tha se ishte i habitur nga sulmi që pësoi nga kolegu i tij, duke sqaruar se e gjitha ndodhi për shkak se tentoi që t'i merrte kartën që vendoset në mikrofonat e deputetëve në sallë.
"Është një incident i sajuar nga Sali Berisha për ti shpërtuar drejtësisë shqiptare. Unë e kam falur zotin Nallbati. Personalisht, jo. Por që do jem pjesë e grupit, do jem. Nuk kam komunikuar me Nallbatit, jashtë seancës i thashë se pse e bëri atë veprim sepse me të kisha marrëdhënie normale si me çdo deputet tjetër. Përshëndeteshim kur shiheshim në rrugë. Nuk e kuptova nga se e kishte. Nëse SPAK më thërret do të shkoj. Nuk kam frikë nga drejtësia. Aty janë videot e se u kam pritur me dorë grushtin. Ai ka goditur por unë e kam pritur me dorë. Ndodhi ai incident që ndodhi. Mund të ndodhte dhe me një koleg tjetër,"-tha Sinaj.
Në seancën plenare të të hënës, opozita bllokoi Foltoren, kështu që deputetët e maxhorancës e morën fjalën nga vendi. Të vendosur për t'i ndalur, deputetët e Partisë Demokratike shkonin dhe iu hiqnin kartat nga mikrofoni, e teksa Nallbati shkoi tek Sinaj, ky i fundit e shtyu. Kaq mjaftoi për të nisur një përplasje fizike mes tyre, ndërsa Nallbati e ka qëlluar me grushta.
Si pasojë e sjelljes së tij gjatë seancës parlamentare, Nallbati është përjashtuar 10 ditë nga punimet e Kuvendit, ndërsa lidhur me ngjarjen, ka zgjedhur që të mos e komentojë gjatë. Ndërsa vetë Sinaj tha se e kishte falur kolegun, por shtoi se nëse grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të ndërmerrte ndonjë vendim tjetër (si në rastin e kallëzimit në SPAK), ai do t'i mbështeste./Zëri.ai