Politikë

Tre deputetë shqiptarë në Mal të Zi krijojnë grup parlamentar

Deputetët Nik Gjeloshaj, Mehmet Zenka dhe Nikollë Camaj thanë se do punojnë së bashku për të drejtat e shqiptarëve

D.XH
Tre deputetë shqiptarë në Mal të Zi krijojnë grup
Deputetët Nik Gjeloshaj, Mehmet Zenka dhe Nikollë Camaj

PODGORICË – Shqiptarët po tentojnë që të bashkohen politikisht në Malin e Zi. Forumi Shqiptar dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve (DUA) kanë krijuar një grup parlamentar, ndërsa si kryetar ata kanë zgjedhur Nik Gjeloshajn. Deputetë të grupit janë Nikë Gjeloshaj, Mehmet Zenka dhe Nikollë Camaj, që dolën nga zgjedhjet e fundit në Mal të Zi, të mbajtura në qershor 2023.

“Kemi vendosur ta bëjmë këtë hap me synimin e bashkimit më të madh të shqiptarëve si dhe përfaqësimit të tyre autentik. Vetëm së bashku mund të punojmë në integrimin dhe përparimin e shqiptarëve, ku kjo do të jetë një pjesë kyçe e agjendës sonë të veprimit”, thuhet në njoftimin e partive shqiptare.

Veprimtaria politike e grupit parlamentar është, siç thonë ata, unike në çdo aspekt, duke mbrojtur dhe promovuar njëzëri të drejtat e popullit shqiptar.

“Në këtë mënyrë, tre deputetë unik shqiptarë do të përfaqësojnë popullin e tyre me dinjitet dhe do të punojnë me përkushtim e vullnet për zhvillimin dhe përmirësimin e të gjitha komunave ku jetojnë shqiptarët. Nga grupet tona, gjuha shqipe do të dëgjohet dhe do të ketë jehonë në Parlamentin e Malit të Zi me krenari.

Vazhdimi i integrimit të shqiptarëve, përmirësimi i standardit të tyre të jetesës dhe faktorizimi i plotë do të forcohet përmes grupit tonë. Gjithashtu, grupi ynë do të përfaqësojë një bazë konkrete për promovimin e vlerave evropiane dhe perëndimore, duke mbështetur dhe avokuar që Mali i Zi të bëhet anëtari i parë i ardhshëm i BE-së, si dhe forcimi i pozitës së Malit të Zi brenda NATO-s”, saktësohet në njoftim.

Ata thonë gjithashtu se ky grup do të mbajë marrëdhënie të shkëlqyera si me vendet e rajonit ashtu edhe me vendet perëndimore, në radhë të parë me SHBA-në, si aleatin kryesor.

“Ne jemi të sigurt se grupi ynë parlamentar do t'i përfaqësojë shqiptarët në mënyrë të ndershme dhe autentike në Qeverinë e re të 44-të të Malit të Zi”, thuhet në njoftimin e përbashkët të deputetëve shqiptarë në Mal të Zi, Nik Gjeloshaj, Mehmet Zenka dhe Nikollë Camaj./Zëri.ai/

 

Poll

MOS HUMB