
TIRANË- Partia Socialiste ka dorëzuar në Kuvend një rezolutë ku kërkohet të dënohet sulmi që ndodhi ndaj policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Kërkesa që mban emrin e kreut të grupit parlamentar të PS-së Bledi Çuçi, kërkon gjithashtu që Serbia të hapë një hetim transparent për organizuesit e sulmit në Kosovë dhe të dorëzojë kriminelët.
Po ashtu, PS kërkon që KFOR-i të shtojë trupat në veri, njësoj siç deklaroi disa ditë më parë dhe kryeministri Edi Rama. Ky i fundit shkoi edhe më tej, duke kërkuar që KFOR të marrë nën kontroll veriun e Kosovës, deklaratë e cila u prit me kundërshti në Prishtinë, për të cilët rol parësor në sigurinë e jetës së qytetarëve ka pikërisht policia vendase.
“Dënohet me ashpërsi sulmi terrorist mbi Policinë e Kosovës më datë 24 shtator 2023, i cili i mori jetën e ushtarëve të Forcave të Kosovës dhe shkaktoi dy të plagosur nga radhët e saj, si dhe përgëzon republikën e Kosovës për profesionalizmin e treguar. Serbia të hapë hetim serioz ndaj të gjithë organizatorëve.
Kërkohet nga faktori ndërkombëtar që të ushtrojë ndikimin për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen politike. Si dhe i bën thirrje Bashkimit evropian e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të ngrenë alarmin në nivelin më të lartë për parandalimin e rrezikut eminent që po i kanoset sigurisë dhe paqes në Kosovë, rajon e më gjerë”, thuhet mes të tjerave në rezolutë.
Më tej në dokument thuhet se “prania e shtuar e KFOR në veri të Kosovës, është një garanci për paprekshmërinë e kufijve të saj për sigurinë dhe paqen në rajon.”
Rezoluta pritet që të kalojë për miratim seancën e radhës në Kuvend. /Zëri.ai